SHBA sanksionon naftën serbe: Largo Moskën nga pronësia e NIS

Ajo që Vuçiç e kishte paralajmëruar prej kohësh u bë realitet. Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj industrisë së naftës të Rusisë, të cilat shënjestrojnë edhe kompaninë serbe, Industria e Naftës së Serbisë, NIS. Thesari Amerikan bëri të ditur se ka sanksionuar kompaninë shtetërore ruse, Gazprom e NEFT ndërsa, kompania serbe NIS, ndëshkohet për shkak të të ashtuquajturit “rrezik sekondar”, që do të thotë lidhjes me Gazpromin rus.

Këtyre sanksioneve u është bashkuar edhe Britania. Administrata në largim e demokratit Joe Biden, i cilësoi sanksionet si më të rëndësishmet deri më tani ndaj sektorëve të naftës dhe gazit të lëngshëm natyror të Moskës, që forcojnë ekonominë ruse.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, njoftoi në një konferencë për shtyp se bëhet fjalë për “sanksione të rënda dhe serioze” dhe se kërkohet “largimi i plotë i Rusisë nga pronësia e NIS-it”. ”Këto sanksione mund të jenë jashtëzakonisht kufizuese, pasi ato ndalojnë çdo transaksion me interesat ruse dhe bllokojnë menjëherë asetet e lidhura me personat e sanksionuar”, tha Vuçiç.

SHKARKO APP