SHBA: Të gatshëm të takohemi me koreano-veriorët kudo dhe kurdo!
Shtetet e Bashkuara të Amerikës përsëritën gatishmërinë e tyre për të zhvilluar bisedime mbi programin bërthamor të Koresë së Veriut pa vendosur parakushte.
“Ne vazhdojmë të shpresojmë se Koreja e Veriut do i përgjigjet pozitivisht shtrirjes sonë të dorës dhe ofertës për t’u takuar kudo dhe kurdo pa parakushte”, deklaroi dërguari special i SHBA, Sung Kim në kryeqytetin e Koresë së Jugut, Seul.
Negociatat midis Uashingtonit dhe Phenianit nuk kanë bërë asnjë përparim që nga takimi i dështuar i Vietnamit në 2019 midis ish-presidentit Donald Trump dhe sundimtarit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un.
Që kur presidenti i SHBA Joe Biden mori detyrën, Koreja e Veriut duket se po ndjek një qasje të pritjes dhe vëzhgimit të situatës.
Kim theksoi javën e kaluar se vendi i tij duhet të jetë i përgatitur si për dialog ashtu edhe për konfrontim me SHBA-në.
Sipas agjencisë shtetërore koreano-veriore të lajmeve, KCNA, ”vendi duhet të përgatitet plotësisht për përplasje, theksoi Kim gjatë një takimi të Komitetit Qendror të Partisë së Punëtorëve në pushtet”.
Kim u tha udhëheqësve të lartë se ata duhet të “mbrojnë dinjitetin e shtetit dhe interesat e tij për zhvillim të pavarur si edhe të sigurojnë me besueshmëri mjedisin paqësor dhe sigurinë e shtetit”.
Regjimi koreano-verior u pa si një sfidë për administratën e re të Biden çka e shndërroi Phenianin në një nga çështjet më të ngutshme të politikës së jashtme të Uashingtonit.
Vitin e kaluar, presidenti Joe Biden e ka quajtur Kim Jong Unin një ”huligan”, por, me vendin e izoluar komunist, presidenti amerikan po ndjek atë që Shtëpia e Bardhë e quan një ”qasje të kalibruar dhe praktike”.