Shefi i OKB-së, Guterres: Pandemia ka çliruar një cunam urrejtjeje dhe ksenofobie

Pandemia Covid-19 ka shkaktuar një rritje të gjuhës së urrejtjes ndaj komuniteteve kryesisht aziatike e myslimane. Shefi i OKB-së, Antonio Guterres, kërkon angazhim politik, shoqëror e fetar për ta ndalur atë që ai e quan një cunam ksenofobie.

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka bërë thirrje për solidaritet global kundër valës së urrejtjes ndaj të huajve që ka provokuar pandemia e koronavirusit të ri në disa vende të botës.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, tha të premten se shtresa të ndryshme shoqërore po bien pre e sulmeve për shkak të prejardhjes apo pse shërbejnë në vijën e parë të betejës me virusin.

“Pandemia ka çliruar një cunami urrejtjeje dhe ksenofobie, kokash turku dhe alarmizmi. Në internet dhe në rrugë janë shtuar qëndrimet kundër të huajve, teoritë konspirative antisemite dhe raportimet e sulmeve kundër myslimanëve si pasojë e Covid-19. Gazetarët, informatorët, profesionistët e shëndetit publik dhe aktivistët e të drejtave të njeriut po ashtu po sulmohen thjesht pse po bëjnë punën e tyre,” deklaroi shefi i OKB-së, Guterres.

Komentet e tij erdhën pasi Kina përsëriti një ditë më parë se është e gathshme të bashkëpunojë hapur me Organizatën Botërore të Shëndetësisë për të hetuar origjinën e koronavirusit.

Pekini është vënë nën shënjestrën e presidentit amerikan, Donald Trump, por edhe të shteteve të tjera, se nuk është treguar transparente për sëmundjen që ka vrarë 270 mijë veta nëpër botë, madje mund ta ketë lëshuar atë vetë aksidentalisht.

Guterres gjithashtu apeloi liderët politikë të tregojnë solidaritet me popullin e tyre, që institucionet arsimore të fokusojnë resurset te edukimi virtual i audiencave kundër përmbajtjeve ekstremiste, që mediet sociale të fshijnë postimet raciste, përçmuese dhe të dëmshme, dhe që shoqëria civile e figurat fetare të shërbejnë si modele të respektit reciprok.

Pak javë më herët, shefi i OKB-së e quajti pandeminë e koronavirusit, krizë njerëzore, e cila nuk duhet përdorur si pretekst nga shtetet autoritare për të shkelur të drejtat individuale të njeriut.

SHKARKO APP