Shërbimi sekret ushtarak serb: Paralajmëruam Maqedoninë për sulmin

 

Shefi i agjencisë së sigurisë ushtarake (VBA) serbe thotë se shërbimet e sigurisë sebe i kishin paralajmëruar kolegët e tyre maqedonas për një sulm të mundshëm që në muajin prill.

“Terroristët shqiptarë që kryen sulmin në Kumanovë kanë qenë në atë pjesë të Maqedonisë prej kohësh, por kolegët tanë maqedonas besonin se këto histori ishin të ekzagjeruara,” tha Petar Cvetkovic, citon radio serbe B92.

Duke folur pas trazirave dy ditore që i kushtuan jetën tetë policëve maqedonas dhe 14 terroristësh, Cvetkovic foli për mediat serbe se pjesa më e madhe e anëtarëve të grupit terrorist vinin nga Kosova, por kishte dhe disa nga Maqedonia dhe se synimi i tyre ishte krijimi i “Shqipërisë më të Madhe”.

” Kreu i VBA-së tha se “idea për krijimin e një Shqipërie të Madhe gëzon një mbështetje të caktuar nga Perëndimi” dhe deklaroi se kjo ishte e dukshme nga fakti se “deklaratat e disa prej politikanëve rreth kësaj çështjeje nuk janë dënuar”, shkruan B92.

Sipas tij, qëllimi i sulmit të terroristëve ishte përkujtimi i 12 majit, ditën kur 5 vjet më parë, një nga liderët e tyre u vra.

Duke folur për vendimin për rritjen e nivelit të gadishmërisë ushtarake të Forcave Serbe, Cvetkovic tha se ushtarët duhet të vendosen në pjesën midis Kosovës dhe Serbisë Qëndrore. “Kjo lëvizje do të rrisë vigjilencën, sepse ekziston rreziku se disa terroristë janë arratisur nga Kumanova”.

Drejtori i Policisë, Milorad Veljoviç, tha se nuk kishte rrezik për qytetarët e Serbisë dhe se kufiri me Maqedoninë ishte i siguruar, por shtoi se forcat ushtarake janë vendosur në vendin e tyre për të rritur nivelin e gadishmërisë dhe koordinimin me policinë dhe shërbimet e sigurisë.

Veljovic tha se Serbia ka mjaft njerëz që mund t’i përgjigjen sfidave, dhe se ekziston një bashkëpunim i shkëlqyer mes përfaqësuesve politikë të shqiptarëve në Preshevë dhe Bujanovc.

Ai shtoi se rreth 450 njerëz iu drejtuan Serbisë për t’u arratisur nga dhuna në Maqedoni, dhe “pjesa më e madhe e tyre janë personat që kanë të afërm në Preshevë,” duke nënvizuar se “shteti është i gatshëm t’i ndihmojë ata në çdo kohë”.

Shqipëria e Madhe” është një projekt nacionalist që kërkon të zgjerojë kufijtë e Shqipërisë duke përfshirë pjesë nga Serbia, Maqedonia, Mali i Zi dhe Greqia.
/Oranews.tv/

SHKARKO APP