Shfaqje spektakolare në qiell, një ‘top zjarri’ ndriçon disa shtete në SHBA, ja çfarë thonë ekspertët
Banorët e disa shteteve në jug dhe juglindje të Shteteve të Bashkuara kanë mbetur të mahnitur herët në mëngjes, pas shfaqjes së një meteori të fuqishëm, i cili ndriçoi qiellin duke krijuar efektin e një “topi zjarri”. Pamjet spektakolare u regjistruan menjëherë pas orës 05:00 të mëngjesit dhe u kapën nga qindra kamera sigurie dhe automjetesh.
Fenomeni u raportua në shkallë të gjerë në shtete si Luiziana, Florida, Alabama, Arkansas, Misisipi dhe Teksas, duke zgjuar kuriozitetin e shumë qytetarëve por edhe të komunitetit shkencor.

Shoqata Amerikane e Meteorëve (AMS) konfirmoi se ka marrë më shumë se 50 raportime zyrtare nga dëshmitarë okularë në shtete të ndryshme. Sipas të dhënave të para, pjesa më e madhe e raporteve dhe e pamjeve më të qarta erdhën nga Luiziana jugore, ku shkëlqimi i meteorit bëri që nata të kthehej në ditë për disa sekonda.
Ekspertët po punojnë aktualisht përmes llogaritjeve të trajektores për të përcaktuar me saktësi rrugëtimin e objektit dhe për të parë nëse ndonjë pjesë e vogël e tij (meteorit) ka arritur t’i mbijetojë djegies dhe të ketë rënë në tokë.
Si shpjeghet shkencërisht ky fenomen?
Edhe pse në raste të tilla shpesh dyshohet për rënien e mbeturinave hapësinore artificiale (si satelitë apo pjesë raketash), shkencëtarët sqarojnë se ky ishte një fenomen tërësisht natyror.
Këto lloj shkëndijash ndodhin kur një shkëmb hapësinor (meteoroid) hyn në atmosferën e Tokës me shpejtësi ekstremisht të lartë. Si pasojë e fërkimit të fortë me ajrin, objekti pëson një mbinxehje të menjëhershme dhe shpërbëhet para se të arrijë në sipërfaqe.
Sa i përket përmasave, ekspertët e astronomisë thonë se njerëzit shpesh gënjehen nga drita e madhe. Atmosfera e Tokës është aq e dendur sa mjafton një shkëmb hapësinor me madhësinë e një topi futbolli apo të një guraleci të madh për të krijuar një ndriçim kaq intensiv. Ky lloj fenomeni ndodh në lartësi të mëdha dhe nuk paraqet asnjë rrezik për popullsinë në tokë.
AV
KOHA JONË SONDAZH

