Shifra në rritje, mbi 900.000 të vdekur nga COVID-19 në mbarë botën. Ja sa janë të infektuar
Numri i vdekjeve nga pandemia e koronavirusit në të gjithë botën ka shkuar në mbi 900,000. Ky fakt është bërë i ditur nga Universiteti Johns Hopkins.
Sipas të dhënave, janë më shumë se 27.7 milionë raste të konfirmuara me koronavirus në të gjithë botën.
Shifrat e reja bëhen të ditura, derisa njëra ndër kompanitë që po zhvillon një vaksinë të ardhshme dha më shumë detaje rreth një vendimi për të pezulluar një studim të fazës së tretë.
Kompania farmaceutike “AstraZeneca” kishte ndërprerë vullnetarisht një provë të Fazës 3 për të rishikuar të dhënat e sigurisë së vaksinës së saj eksperimentale, një nga më të përparuarat deri më tani.
Pezullimi i provave që përfshinë rreth 30.000 njerëz në të gjithë botën erdhi pasi një grua në Britani, që mori vaksinën, u sëmur me simptoma neurologjike të shoqëruara me një çrregullim të rrallë inflamator të shtyllës kurrizore, duke hedhur dyshime mbi perspektivat për një shpërndarje të hershme të vaksinës së mundshme.
AstraZeneca, e cila po zhvillon vaksinën me Universitetin e Oksfordit në Britani, tha se një komitet i pavarur do të rishikojë të dhënat.
I pyetur nëse pezullimi i fundit do të vononte procesin e zhvillimit të vaksinës, sekretari i Shëndetësisë i Britanisë së Madhe, Matt Hancock tha: “Jo domosdoshmërisht, kjo varet nga ajo që ata do të gjejnë kur bëjnë hetimin”.