Shoku Stalin është rikthyer. Falë shokut Putin
Nga Aleksandër Nazarian
Në Bashkimin Sovjetik të rinisë sime, Josef Stalini ishte i padukshëm. Paraardhësi i tij në Kremlin, Vladimir Lenini, ishte i kudondodhur, që nga stemat në uniformat tona të shkollës, deri tek statujat apo bustet që dukej se stolisnin çdo hapësirë publike. Në ato statuja, krahu i tij ishte gjithmonë i ngritur lart, me pëllëmbën të shtrirë, duke na treguar të ardhmen e lavdishme socialiste. Qyteti im i lindjes kishte vendosur që Lenini të zëvendësonte Apostullin Pjetër, kështu që Shën Petersburgu u bë Leningrad. Stalini dikur kishte qytetin e tij – Stalingradin, vendin e një beteje të tmerrshme gjatë Luftës së Dytë Botërore – por pasi u zbuluan mëkatet e shumta të despotit me mustaqe, qytetit iu rikthye emri Volgograd në vitin 1961.
Rënia e Stalinit ishte vepër e Nikita Hrushovit, udhëheqësi sovjetik që e kishte denoncuar atë, në një fjalim të fshehtë të vitit 1956, ku denonconte ashpër “shkeljet e mëdha të ligjshmërisë revolucionare” nga ana e Stalinit dhe, më keq, praktikat e tij të “asgjësimit fizik” duke iu referuar ndoshta, mbi 30 milionë njerëzve të vrarë gjatë spastrimeve të tij.
Aktivistja dhe gazetarja Masha Gessen, e cila u rrit në Moskë gjatë viteve 1970, thotë: “Nuk mësova absolutisht asgjë në shkollë për Stalinin. Asgjë. Ishte sikur ai nuk ekzistonte. E gjithë epoka e Stalinit thjesht ishte zhdukur”.
Dhe tani është rikthyer. Në fillim të kësaj vere, mbesa e madhe e Hrushovit, Nina Hrushova, vizitoi qytetin e Samarës, në Rusinë jugore. Atje, në brigjet e lumit Vollga, ndodhet bunkeri i ndërtuar për Stalinin në vitin 1942, atëherë kur dukej se Bashkimi Sovjetik mund të binte përballë përparimit të Vehrmahtit në lindje. Ekzistenca e bunkerit nuk u zbulua deri në vitin 1991. Sot, është një shembull kryesor i kitsçit sovjetik, në gjithë lavdinë e tmerrshme të tij. “Më pëlqyen dritat e kuqe dhe sirenat e alarmeve, që të rikrijonin ndjenjën e një emergjence kur hyje në bunker”, shkruante një vizitor në TripAdvisor.
Hrushovas i kishte lënë mbresë një aspekt tjetër i muzeut-bunker: qasja çuditërisht simpatizuese, ndaj njeriut për të cilin ishte ndërtuar. Duke folur nga Moska, Hrushova, e cila jep mësim në Shkollën e Re për Kërkime Sociale në Manhatan, thotë: “Shitja prej heroi që i bëhet vrasësit në masë ishte tronditëse. Edhe për mua”. Ka qenë e habitshme për të gjithë ne që u rritëm në Bashkimin Sovjetik, po aq e sa është e habitshme për shumë amerikanë, zgjedhja e Donald Trump-it president. Nëse ky i fundit u thotë diçka shqetësuese për Amerikën kritikëve, i pari thotë diçka shumë më shqetësuese për Rusinë, tendenca e së cilës drejt autoritarizmit shkon shumë më thellë. Pavarësisht gjithë postimeve idiote në Tuiter, Trump-i nuk ka hapur ndonjë gulags (ende).
Adhurimi për Stalinin shtrihet përtej atij bunkeri në Samara. Në Rusinë e Vladimir Putinit, Stalini ka gëzuar një ringjallje të çuditshme. Mëkatet e tij janë harruar, ndërkohë që madhështia e tij, sidomos ajo si komandant i përgjithshëm gjatë Luftës së Dytë, është ekzagjeruar shumë. Kjo ndodh kryesisht për shkak se rehabilitimi i tij ka qenë një projhekt i Vladimir Putinit, për të cilin kritikët thonë se ka tendenca shqetësuese staliniste.
Në një shenjë se sa të pazgjidhshëm janë fatet e të dy udhëheqësve të fortë, një sondazh i ri nga Qendra Levada – një organizatë e pavarur që ofron të dhëna të besueshme – gjeti se rusët e konsiderojnë Stalinin, më të rëndësishmin në histori. Putini është i dyti, me të njëjtën përqindje me poetin dhe bashkëqytetarin e tij nga Shën Petersburgu, Aleksandër Pushkin. Në fillim të këtij viti, një tjetër sondazh i Qendrës Levada nxorri mbështetjen për Stalinin në nivelin 46 përqind, më e larta që ka qenë në 16 vitet e fundit, afërsisht koha që kur Putini erdhi në pushtet. Megjithëse këto zbulime nuk ishin të habitshme, ata ishin veçanërisht shqetësues këtë vit, pasi Rusia është gjithnjë e më shumë armiqësore ndaj Perëndimit dhe lufta bërthamore nuk është më thjeshtë material për Hollyëoodin. Për më tepër, admirimi i hapur i Trumpit për Putinin duket të jetë i nxitur nga cilësitë që Putini admiron tek Stalini: forcë, mungesë mëshire, nacionalizëm, militarizëm.
Rikthimi i Stalinit do të kishte qenë i pamundur pa Putinin, “demokracia e menaxhuar” e të cilit ka rezultuar të jetë ai që Gessen e quan një regjim “retro-totalitar”, që të kujton Stalinin, por pa teprimet e tij të përgjakshme. Ajo argumenton se Putini “riprodhoi një shoqëri totalitare, me vetëm elementë të ndryshëm të terrorit shtetëror – të mjaftueshme për t’u kujtuar njerëzve atë që është e mundur, e mjaftueshme për të krijuar zakonet e një shoqërie totalitare”.
Hrushova tregon për instalimin, në vitin 2009, të sloganeve staliniste në stacionin Kurskaya në qendër të Moskës, dhe se ka pasur shumë gjeste të tjera të vogla. Në vitin 2013, Bloomberg raportoi se udhëzimet e reja për tekstet e historisë së shkollave të mesme, “përpiqen të paraqesin një pamje ‘të ekuilibruar’ të sundimit të Stalinit. Ata e përshkruajnë Stalinin si një modernizues, i cili solli industrializimin super të shpejtë të Rusisë, hodhi themelet për arritjet shkencore të Bashkimit Sovjetik dhe fitoren në Luftën e Dytë Botërore”, edhe pse ata pranojnë, “spastrimet masive” të tij dhe mbështetjen tek “punën e detyruar”.
Muajin e kaluar, Universiteti Shtetëror Juridik i Moskës tha se do të rikthente një pllakatë në nderim të Stalinit, e cila ishte hequr pas denoncimit nga Hrushovi në vitin 1956. Një profesor, Henry Reznik, dha dorëheqjen në shenjë proteste, duke e quajtur Stalinin një “varrmihës të ligjit”. Kjo shpëlarje me të kuqe e historisë lehtësohet edhe prej vdekjes së atyre rusëve, që janë aq të moshuar sa nevojitet për të kujtuar spastrimet dhe gjyqet e viteve 1930. Mungesa e një mediaje të pavarur dëmton mëtej përpjekjet për të frenuar krijimin nga ana e Kremlinit, të versioneve të sajuara të të kaluarës.
Rusët mund të jenë të aftë për demokraci, ashtu si çdo vend tjetër, por pas dy dekadash despotizëm dhe të joshur prej një ndjenje të rreme rimëkëmbjeje ekonomike, ata po besojnë sërish në forcën e Kremlinit, duke harruar kështu mësimet e pavolitshme, por të pashmangshme të historisë.
Marrë me shkurtime nga Newsweek – Në shqip nga Bota.al