Shpërthimi i vullkanit në Filipine, zhduket flora dhe fauna

Nuk ekziston më asnjë kafshë apo bimë në zonën përreth vullkanit Taal në ishullin Luzon pranë Manilës në Filipine. Autoritetet në vend konfirmuan lajmin duke theksuar se janë evakuuar aktualisht 18 mijë persona, banorë në qytetet pranë vullkanit. Mediat në vend raportojnë se e gjithë flora dhe fauna pranë vullkanit tashmë është zhdukur dhe ishte e kotë që ekipet e shpëtimit të përpiqeshin të shpëtonin ndonjë nga kafshët.

Për sa i përket të evakuuarve, për momentin, ata janë vendosur në 76 qendra pritjeje, ndërkohë që qeveria i ka bërë apel popullsisë që të dhurojnë ushqim dhe veshje. Pas shpërthimit të vullkanit është vendosur që nuk do të autorizohet asnjë rindërtim në ishull, vetëm banesat e dëmtuara që mund të riparohen do të jenë objekt ndërhyrjeje.

Qeveria e presidentit Rodrigo Duterte urdhëroi mbylljen e shkollave dhe të institucioneve në Manila. Në ishull aktualisht shikueshmëria është e mundur vetëm deri në 2 metra. Të paktën 554 fluturime janë anuluar. Taal është një nga 24 vullkanet aktive më të paqëndrueshëm në vend, me 34 shpërthime të regjistruara deri më sot.

SHKARKO APP