Shpëtohen 3330 palestinë klandestinë
Mbi 3300 emigrantë janë shpëtuar nga autoritetet italiane në 24 orët e fundit në përpjekjet e tyre për të kaluar Mesdheun.
Lajmi është bëri i ditur nga roja bregdetare italiane, duke thënë se vetëm gjatë së premtes 17 anije kanë lëshuar alarmin pasi gjendeshin në vështirësi. Ndërkohë mësohet se në 3 anije janë gjetur trupat e pajetë të 17 personave.
Organizata Ndërkombëtare për Migrim ka thënë se mbi 1800 emigrantë kanë vdekur duke u përpjekur për të kaluar Mesdheun vetëm në 2015-n. Këto shifra janë gati 30 herë më të larta se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
Mediat italiane kanë bërë të ditur se operacionet e shpëtimit janë organizuar kryesisht në bregdetin libian, ndërkohë në operacione kanë marrë pjesë edhe anije irlandeze, gjermane dhe belge.
Organizata e Kombeve të Bashkuara vlerëson se të paktën 40 mijë njerëz janë përpjekur të kalojnë Mesdheun që nga janari deri në fund të prillit. Shtimi i ndjeshëm i numrit të emigrantëve klandestinë lidhet kryesisht me kaosin që ka përfshirë Libinë gjatë kohëve të fundit. Gjithashtu edhe shumë emigrantë janë duke u përpjekur t’i shpëtojnë konfliktit apo varfërisë në vende si Siria, Eritrea, Nigeria dhe Somalia.
Organizata “Mjekët pa Kufij” ka raportuar dy ditë më parë një rast të veçantë, kur një i moshuar 98-vjeçar sirian ishte shpëtuar nga një anije, e cila kishte lundruar për 13 ditë nga Egjipti për në brigjet italiane. T.CH