Shqiptarët dhe serbët kujtojnë bashkë humbjet e luftës

Më 26 mars të vitit 1999 forcat serbe do të rrethonin Rahovecin. Kjo do të rezultonte me një krim të rëndë, ku për 24 orë u vranë 226 burra.

Në mesin e tyre edhe burri i Fahrije Hotit. Në këtë ngjarje ajo do të humbiste edhe pjesëtarë të tjerë të familjes, fati i të cilëve ende nuk dihet, shkruan sot Koha Ditore.

16 vjet pas luftës, burri i Fahrijes bashkë me 1.670 të tjerë rezultojnë të humbur. Për tmerrin që do të përjetonte ajo me foshnjën e saj tremuajshe në krah dhe vajzën 4-vjeçare, rrëfeu të premten në Beograd.

Historia e saj u shpalos në debatin “Dekonstruktimi i së kaluarës së përbashkët: personat e humbur dhe normalizimi”. Krahas rrëfimit të saj, erdhën edhe dy të tjera. Por në këtë rast të palës serbe.

Olivera Budimir nga Prishtina dhe Sunçica Atiq nga Kamenica kanë treguar për humbjet e tyre gjatë luftës. Këto rrëfime u bënë bashkë në ditën e dytë të festivalit “Mirëdita, Dobar dan!”, i cili po mbahet në Beograd.

Kjo ngjarje e cila zuri vend në Qendrën Rinore të Beogradit mblodhi gazetarë e pjesëtarë të shoqërisë civile, por jo edhe qytetarë të rëndomtë, përcjell koha.net. Panelistët bënë apel që të dy qeveritë të bëjnë më shumë në zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

SHKARKO APP