Shqiptarët, të dytët për marrjen e shtetësisë në BE

Nga Gjovalin Kola

TemA, Bruksel

Siç dihet, në kuadrin e politikave të integrimit, emigrantët në Bashkimin Evropian marrin edhe shtetësinë e vendit ku punojnë e jetojnë. Kjo bëhet sipas disa kritereve të veçanta që parakuptojnë përshtatjen e tyre me kulturën, vlerat demokratike dhe shtetin e së drejtës në shoqëritë pritëse. Megjithëse në legjislacionet e këtyre vendeve, dhënia e nacionalitetit nuk është një e drejtë, por një favor që u jepet të huajve, atë e fitojnë çdo vit një numër i konsiderueshëm emigrantësh. Kështu, për vitin 2014, sipas një raporti të publikuar dje nga Eurostati, (Zyra e Statistikave të BE-së), vendet e bllokut u kanë akordua shtetësinë rreth 900 000 të huajve. Kjo shifër një vit më parë ishte më e lartë, 981 000, kurse që nga viti 2009 janë natyralizuar më shumë se 5 milionë emigrantë.

Swiss Digital Desktop Reklama

Në mesin e këtyre individëve, që marrin shtetësinë e njërit prej vendeve të BE-së, shqiptarët përbëjnë tashmë një komunitet gjithnjë e më të lartë në raport me popullsinë e vendit tonë. Nëse për vitin 2014, vendin e parë për marrjen e shtetësisë së një vendi të BE-së e zinin marokenët, me 92 700 vetë, të dytin e mbajnë shqiptarët me 41 000 dhe të tretin turqit me 37 500 shtetas. Në këtë tregues ata lënë pas shtetas të ardhur në Evropë nga vende të tilla të mëdha si India, Pakistani, Ekuadori apo Kolumbia. Në rastin e shqiptarëve, 96 për qind kanë marrë shtetësinë greke e italiane, kurse pjesa tjetër atë britanike etj. Midis emigrantëve nga vendet anëtare të BE-së, që kanë marrë shtetësinë e një vendi tjetër të bllokut në vitin 2014, vendin e parë e zënë rumunët me 24 300 vetë dhe të dytin polakët me 16 100. Të parët kanë marrë kryesisht shtetësinë italiane, gjermane e hungareze, kurse të dytët atë gjermane, britanike dhe suedeze. Sipas kontinenteve nga vijnë emigrantët, përqindja e natyralizimit ka qenë më e lartë për afrikanët, 28.7 për qind, e ndjekur nga evropianët me 28.3 përqind, amerikanët 21.2 përqind, aziatikët 19.8 përqind dhe ata nga Oqeania e vende të tjera, 0.6 për qind.

Swiss Digital Mobile Reklama

Vendet që kanë natyralizuar më shumë të huaj për 2014-n janë Spanja me 205 900 persona ose 23 përqind e numrit të përgjithshëm të BE-së, Italia me 129 900, ose 15 për qind, Britania e Madhe, 110 600 ose 12 për qind dhe Franca me 105 600 ose 12 për qind. Kurse në raport me popullsinë e tyre, numrin më të lartë të dhënies së shtetësisë për 1000 banorë e kanë regjistruar Luksemburgu me 5.8 për qind, Irlanda me 4.6 përqind, Suedia me 4.5 për qind si dhe Spanja me 4.4 për qind. Në nivel të Bashkimit Evropian përqindja e natyralizimit është 1.8 për 1000 banorë. Pavarësisht se politika e emigracionit është e lidhur me nevojën e ndryshimeve ekonomike e demografike të BE-së për të përballuar plakjen e popullsisë dhe nevojat e tregut të punës, masat e marra kohët e fundit kundër terrorizmit e kanë ashpërsuar edhe legjislacionin për natyralizimin e të huajve. Ndërsa kërkesat dhe kriteret për dhënien e shtetësisë janë rritur, numri i të huajve të natyralizuar ka ardhur në ulje, sipas statistikave zyrtare. Për më tepër, në Francë e Belgjikë, vende të goditura rëndë nga atentatet e fundit terroriste, është hapur debati për heqjen e dyshtetësisë individëve të dënuar për terrorizëm, me qëllim dëbimin e tyre në vendet e origjinës.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?