FIFA World Cup 2026 11 Qershor - 19 Korrik 2026
00 ditë
00 orë
00 minuta
00 sekonda

Shtëpia e Bardhë: Audienca më e madhe ndonjëherë për inaugurimin e Trump

Zëdhënësi i ri i Shtëpisë së Bardhë Sean Spicer, kritikoi përllogaritjen e numrit të pjesëmarrësve në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit Donald Trump. Ai tha gjatë komenteve për shtyp se “nuk ka diskutim” se kjo ishte ceremonia e inaugurimit më e ndjekur ndonjëherë.

Zoti Spicer tha se “dhjetëra miliona” vetë ndoqën marrien e drejtimit të vendit nga zoti Trump përmes medias sociale apo përmes transmetimeve në internet, përveç qindra mijërave vetëve të mbledhur në Uashington.

Të shtunën në mbrëmje, zoti Spicer tha për gazetarët “ajo ishte audienca më e madhe që ka ndjekur ndonjëherë një inaugurim, si me prani fizike, apo duke e ndjekur nga pika të ndryshme të globit”.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ai nuk pranoi pyetje nga gazetarët. Deklaratat e tij për madhësinë e turmës pasojnë fjalët e Presidentit Trump se ndoshta në qendër të Uashingtonit kishte 1.5 milionë vetë që ndoqën ceremoninë e tij të inaugurimit.

Swiss Digital Mobile Reklama

Në konferencën e parë për shtyp të hënën, zoti Spicer pohoi se informacioni që kishte përcjellë të shtunën lidhur me numrin e pasagjerëve që kishin përdorur sistemin e metrosë mund të kishte qenë i pasaktë, por shtoi se “do të doja prova që hedhin poshtë deklaratën se ky ishte inaugurimi më i ndjekur presidencial”.

“Unë mendoj se duhet të tregohemi të sinqertë me popullin amerikan,” tha zoti Spicer, duke shtuar “Mund të mos jemi dakord për shifrat, por synimi ynë është të mos gënjejmë kurrë”.

Qeveria amerikane nuk jep më deklarata për numrin e pjesëmarrësve në aktivitete publike në qendër të Uashingtonit, pas përplasjeve të vazhdueshme që ka pasur në të kaluarën me grupe që pretendonin se kishin pasur pjesëmarrje më të lartë në aktivitetet e tyre se sa numri që deklaronin autoritetet.

Grupe të ndryshme mediatike kanë krahasuar pjesëmarrjen në ceremonitë e inaugurimit për presidentin Obama me ceremoninë e inaugurimit të zotit Trump. Sipas përllogaritjeve 1.8 milionë vetë ishin në ceremoninë e 2009 për zotin Obama, ndërsa ka njoftime se vetëm 250 mijë vetë u mblodhën për zotin Trump, megjithëse disa përllogaritje të tjera flasin për një numër më të madh.

Grupet mediatike janë të një mendjeje në përfundimin se një turmë më e madhe u mblodh një ditë pas inaugurimit, në protesta kundër presidencës Trump./VOA/

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se po krijohet një Lëvizje antisistem, pra kundër Ramës dhe Berishës?