Shtëpia e Bardhë mohon pretendimet për draft-marrëveshje me Teheranin: Trillim i plotë
Shtëpia e Bardhë hedh poshtë raportet e medias shtetërore iraniane për një draft të supozuar të memorandumit të mirëkuptimit të arritur midis dy palëve për t’i dhënë fund konfliktit, duke e quajtur atë një “trillim të plotë”.
“Ky raport nga media e kontrolluar nga Irani nuk është i vërtetë dhe memorandumi i mirëkuptimit që ata ‘publikuan’ është një trillim i plotë. Askush nuk duhet të besojë atë që po përhap media shtetërore iraniane. FAKTET KANË RËNDËSI”, shkruhej në faqen zyrtare të Shtëpisë së Bardhë në ‘X’.
Disa detaje janë të ngjashme me atë që disa zyrtarë amerikanë e kanë përshkruar si marrëveshjen që po finalizohet. Zyrtarët amerikanë të cituar nga media amerikane kanë thënë se Presidenti Donald Trump do të ishte i gatshëm të hiqte bllokadën e Ngushticës së Hormuzit nëse Irani lejon anijet tregtare të kalojnë nëpër Ngushticë.
“Siç ka thënë Presidenti Trump, negociatat po përparojnë mirë dhe ai i ka bërë të qarta vijat e tij të kuqe. Presidenti Trump do të bëjë vetëm një marrëveshje të mirë për popullin amerikan, e cila duhet të sigurojë që Irani të mos ketë kurrë armë bërthamore”, përsëriti zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, në përgjigje të raportit të televizionit shtetëror iranian.
KOHA JONË SONDAZH

