“Shtet fashist”, miliarderi rus heq dorë nga shtetësia ruse për shkak të luftës në Ukrainë

Miliarderi rus, Oleg Tinkov, ka hequr dorë prej shtetësisë ruse, për shkak të luftës së nisur nga Moska në Ukrainë.

Ai, po ashtu, ka dënuar “fashizmin e Putinit”, duke iu referuar presidentit rus, Vladimir Putin. Tinkov ka themeluar bankën online, Tinkoff, një prej ofrueseve më të mëdha të kredive.

Aktualisht kjo bankë ka mbi 20 milionë konsumatorë. Përmes një postimi në Instagram, ai ka thënë se “nuk mund të jem i lidhur me një shtet fashist që ka nisur luftë kundër fqinjit paqësor”.

Edhe disa manjatë tjerë rusë kanë kritikuar publikisht luftën e Rusisë në Ukrainë. “Është e turpshme për mua që të vazhdoj të mbaj këtë pasaportë”, ka thënë miliarderi.

Ai besohet se aktualisht jeton në Londër, mirëpo është subjekt i sanksioneve të Mbretërisë së Bashkuar, sikurse shumë anëtarë të elitës biznesore ruse.“Shpresoj që më shumë biznesmenë do të jenë pas meje, në mënyrë që të dobësojnë regjimin e Putinit dhe ekonominë e tij, dhe që në fund ai të humbë”, ka thënë Tinkov.

Ai ka vazhduar duke thënë se e urren Rusinë e Putinit, mirëpo i do të gjithë rusët që janë kundër luftës. Sanksionet perëndimore ndaj tij, dhe figurave tjera biznesore të Rusisë – të njohur si oligarkë – përfshijnë ndalesa në udhëtime, ngrirje të aseteve dhe konfiskim të aeroplanëve dhe jahteve./rel

SHKARKO APP