Spanja në alarm, emigrantët mund të tentojnë të hyjnë sërish në Ceuta
Shërbimet inteligjente spanjolle e konsiderojnë “plotësisht të besueshme” fushatën e përhapur në rrjetet sociale që u bën thirrje njerëzve të tentojnë një hyrje të re masive në Ceuta më 15 gusht. Kështu raporton radioja Cadena Ser, duke cituar burime të shërbimeve sekrete, të cilat nuk përjashtojnë mundësinë që organizatorët ta paraprijnë datën për të shfrytëzuar efektin e befasisë, pas jehonës së gjerë mediatike që ka marrë kjo thirrje në internet.
Qendra Kombëtare e Inteligjencës e Spanjës (CNI) prej disa ditësh po monitoron grupe në Facebook, WhatsApp dhe profile në TikTok, ku qarkullojnë mesazhe dhe informacione të rreme mbi të ashtuquajturat pika të dobëta në kontrollet kufitare.
Burime nga Ministria e Brendshme e Spanjës kanë bërë të ditur se disponojnë të gjitha burimet e nevojshme për t’u përballur me çdo tentativë për hyrje të parregullta, në lidhje me thirrjet që kanë qarkulluar ditët e fundit në rrjetet sociale për një tjetër sulm masiv drejt Ceutës, pas atij të një jave më parë që solli në enklavën spanjolle në Marok të paktën 72 mijë persona.
Në Ceuta vazhdon të jetë në fuqi dislokimi i 4 mijë efektivëve të policisë, Guardia Civil dhe ushtrisë, të mobilizuar një javë më parë për t’u përballur me krizën e emigrantëve. Sipas burimeve, nëse do të jetë e nevojshme, ky kontingjent do të përforcohet më tej. Forcat e sigurisë mbështeten gjithashtu në bashkëpunimin e Marokut për të parandaluar që në fillesë çdo nisje masive, përmes kontrolleve dhe bllokadave rrugore në zonën e Fnideq-ut, ish-qyteti spanjoll Castillejos, në kufi me Ceutën.
KOHA JONË SONDAZH

