Studim/ Mediat gjermane fryjnë ndjeshëm raportimin për krimet e të huajve
Një studim i ri ka zbuluar se mediat gjermane paraqesin në mënyrë të shtrembëruar nivelin e krimit të kryer nga të huajt, duke krijuar një perceptim të rremë në publik. Hulumtimi me titull “Krimi dhe Migrimi: Perceptimi në Median Gjermane” tregon se të dyshuarit e huaj përmenden rreth tre herë më shpesh në media sesa përfaqësimi i tyre real në statistikat zyrtare të policisë.
Autor i studimit është profesori i gazetarisë Thomas Hestermann nga Universiteti i Shkencave të Aplikuara Macromedia në Hamburg, i cili e përshkroi këtë fenomen si një “shtrembërim drastik” në raportimin mediatik, i cili ka filluar të theksohet veçanërisht pas vitit 2015, kur Gjermania pranoi një numër të madh emigrantësh.
Sipas Hestermann, ky mbulim i tepruar ndikon drejtpërdrejt në opinionin publik, duke krijuar frikë dhe mosbesim. “Ky lloj raportimi i bën njerëzit të pyesin: Kush përbën një kërcënim?”, theksoi ai.
Për të ilustruar këtë prirje, profesori përmendi dy sulme të ngjashme me makina në Mynih dhe Mannheim në vitin 2025. Sulmi në Mynih, ku i dyshuari ishte një i ri afgan, mori dyfishin e raportimit në krahasim me rastin në Mannheim, ku autori ishte një gjerman.
Sipas Hestermann, vendimet editoriale shpesh janë “intuitive”, por përfundimisht krijojnë një model raportimi që ndjek një agjendë populiste të krahut të djathtë.
Në të njëjtin studim, kriminologia dhe sociologia Gina Wollinger e quajti këtë fenomen një “emigrim të krimit”, duke theksuar se origjina e autorëve vihet në pah vetëm kur ata nuk janë gjermanë. Ajo shtoi se faktorët kryesorë që lidhen me kriminalitetin janë socialë – si varfëria, mungesa e perspektivës dhe përvojat personale të dhunës – dhe jo origjina apo pasaporta.
Si zgjidhje për të korrigjuar këtë çekuilibër, Hestermann rekomandoi që redaksitë mediatike të bëhen më të larmishme, duke përfshirë gazetarë të rinj nga kultura të ndryshme, në mënyrë që raportimi të jetë më i drejtë dhe më përfaqësues.
KOHA JONË SONDAZH

