Stuhi shkatërruese në Kaliforni, tre viktima dhe dhjetëra mijëra banorë pa energji
Zona të gjera të Kalifornisë janë përfshirë nga stuhi të fuqishme shiu, përmbytje dhe rrëshqitje të tokës, duke shkaktuar kaos në disa prej komuniteteve më të populluara të shtetit amerikan dhe lënë të paktën tre persona të vdekur deri në mbrëmjen e Krishtlindjeve, sipas autoriteteve lokale dhe raportimeve mediatike.
Reshjet intensive kanë sjellë sasi rekord shiu, me deri në rreth 27 centimetra të regjistruara në disa pjesë të Qarkut Los Anxhelos, duke detyruar evakuime masive dhe mbyllje të rrugëve kryesore për shkak të përmbytjeve. Autoritetet lokale paralajmërojnë se reshjet pritet të vazhdojnë edhe drejt të premtes, me rrezik të vazhdueshëm për përmbytje të menjëhershme dhe rrëshqitje dheu.
Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, ka shpallur gjendje emergjence në Los Anxhelos dhe në disa qarqe të tjera të jugut të shtetit, ndërsa mijëra persona janë urdhëruar të largohen nga zonat e rrezikuara. Ekipet e emergjencës kanë ndërmarrë operacione shpëtimi, duke përfshirë edhe evakuime nga automjetet e bllokuara nga uji dhe ujërat përmbytës.
Mes viktimave të raportuara është një 64-vjeçar nga San Diego, i cili humbi jetën pasi u godit nga një pemë e rrëzuar, një 74-vjeçar në Redding që humbi jetën gjatë përpjekjes së shpëtimit nga një automjet i përmbytur, si dhe një grua në të 70-at në Qarkun Mendocino, e cila u mor nga dallgët e forta në Parkun Shtetëror MacKerricher.
Përveç humbjeve njerëzore, stuhi ka shkaktuar ndërprerje të mëdha të furnizimit me energji elektrike për dhjetëra mijëra banorë, si dhe paralajmërime për evakuime në qarqet San Bernardino dhe Gjiri i San Franciskos, ku shpejtësia e erës ka kaluar mbi 100 milje në orë në disa zona. Autoritetet e motit theksojnë se shumë lumenj dhe përrenj mund të dalin nga shtrati për shkak të kapacitetit të kufizuar për përthithje të ujit në terren, duke rritur rrezikun për banorët dhe udhëtarët në zonat bregdetare dhe malore.
Kjo situatë dramatike është pasojë e disa “lumëvë atmosferikë” që kanë transferuar sasi të mëdha lagështie nga rajonet tropikale drejt perëndimit të SHBA-së, duke shkaktuar reshje të jashtëzakonshme dhe kushte të rrezikshme për komunitetet përgjatë vijës bregdetare.
KOHA JONË SONDAZH

