Sulm në Etiopi, humbin jetën mbi 80 persona mes tyre dhe fëmijë
Më shumë se 80 persona përfshirë fëmijë deri në moshën 2 vjeç janë vrarë në sulmin e fundit në Etiopinë perëndimore, sipas komisionit kombëtar të të drejtave të njeriut.
Zëdhënësi dhe këshilltari i lartë për Komisionin Etiopian të të Drejtave të Njeriut (EHRC), Aaron Maasho, në një prononcim për mediat është shprehur se masakra ndodhi të martën midis orës 5 dhe 7 të mëngjesit në rajonin e Benishangul-Gumuz, i cili kufizohet me Sudanin dhe Sudanin e Jugut.
“Ne morëm informacion se mbi 80 njerëz vdiqën moshat e të cilëve variojnë nga 2 deri në 45 vjeç”, është shprehur ai.
Sulmi ndodhi në një zonë të quajtur Daletti, në zonën Metekel të Benishangul-Gumuz, e cila është rrënuar nga dhuna e përsëritur në muajt e fundit që ka lënë të vdekur qindra njerëz. Ndërkohë kujtojmë se në një sulm paraardhës të ndodhur në 23 dhjetor u vranë rreth 207 persona.