Sulme ruse ndaj Kievit, Polonia ngre avionë për mbrojtjen e hapësirës ajrore
Rusia ka kryer herët në mëngjes një sulm të ri ndaj infrastrukturës energjetike të Kievit dhe rajoneve të tjera të Ukrainës, duke shkaktuar ndërprerje emergjente të energjisë elektrike. Sulmet kanë shtyrë Poloninë, anëtare e NATO-s dhe vend fqinj me Ukrainën, të ngrejë avionë luftarakë për të mbrojtur hapësirën e saj ajrore, vetëm dy ditë pas përfundimit të bisedimeve të paqes të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara në Miami.
Bisedimet e zhvilluara gjatë fundjavës përfshinë zyrtarë amerikanë, delegacione ukrainase dhe evropiane, si dhe kontakte të ndara me përfaqësues rusë, por duket se nuk kanë sjellë ulje të tensioneve në terren. Në orën 08:20, Forcat Ajrore të Ukrainës shpallën alarm për sulme ajrore në pjesën më të madhe të vendit.
Në Kiev, mbeturina nga raketat ranë pranë një ndërtese banimi në lagjen Sviatoshynskyi, duke thyer dritaret dhe shkaktuar panik mes banorëve. Kryebashkiaku i kryeqytetit, Vitali Klitschko, e konfirmoi incidentin përmes një njoftimi në Telegram.
Ministria e Energjisë e Ukrainës bëri të ditur se ndërprerje emergjente të energjisë elektrike u regjistruan në disa rajone, përfshirë Kievin dhe zonat përreth, pas sulmeve të reja ndaj objekteve energjetike. Ndërkohë, kompania shtetërore e energjisë, Ukrenergo, raportoi një “sulm masiv me raketa dhe dronë” dhe theksoi se punimet për rikthimin e furnizimit me energji do të nisin sapo situata e sigurisë ta lejojë.
Rusia ka goditur vazhdimisht rrjetin energjetik të Ukrainës gjatë luftës gati katërvjeçare, veçanërisht gjatë dimrit, me synimin për të ndërprerë energjinë dhe ngrohjen, për të dobësuar ekonominë dhe për të rritur presionin ndaj Kievit.
Nga ana tjetër, Polonia njoftoi se avionë polakë dhe aleatë janë vendosur për të mbrojtur hapësirën ajrore, pasi sulmet ruse shënjestruan zona të Ukrainës perëndimore pranë kufirit. “Këto masa janë parandaluese dhe synojnë të garantojnë sigurinë e hapësirës ajrore polake”, deklaroi Komanda Operacionale Polake në platformën X.
KOHA JONË SONDAZH

