Sulmohet fabrika më e madhe e mishit në botë: Hakerët bllokuan sistemin kompjuterik, kërkojnë para
Një nga firmat kryesore globale të përpunimit të mishit njoftoi se ka pezulluar punën pas një sulmi kibernetik që Amerika vlerëson se është kryer nga hakerët rusë.
Sulmi bllokoi të hënën sistemet kompjuterike të prodhuesit “JBS”, një rrjeti prej më shumë se 150 fabrikash në 15 shtete të botës.
Avaria teknike ndali punën në pikat australiane, në Kanada dhe në SHBA, pasi kompjuterat përdoren për të prerë faturat dhe për të planifikuar transportin e produkteve të mishit.
Kompania informoi se hakerët po e shantazhojnë kundrejt parave dhe e kërcënojnë se do i fshijnë dokumentet konfidenciale nëse nuk paguan.
Byroja Federale amerikane po prin hetimet për ngjarjen dhe dyshimet paraprake të çojnë te organizatat kriminale me bazë në Rusi, sipas zëdhënëses së Shtëpisë së Bardhë.
Moska reagoi të mërkurën duke thënë se ka vendosur kontakte me autoritetet e Uashingtonit për të zbardhur sulmin e fundit kibernetik.
Muajin e kaluar, një grup piratësh interneti po me prejardhje nga vendet sllave sulmuan për disa ditë edhe naftësjellësin “Colonial Pipeline”, duke i marrë të paktën 4,4 milionë dollarë në formë shantazhi për zhbllokimin e kompjuterave.