“Syri” i kredisë sociale në Kinë tani mbikëqyr kompanitë
Që nga viti 2020 sistemi i vlerësimit do të zbatohet edhe për kompanitë vendase dhe të huaja, por operacioni nuk është i qartë dhe rrezikon të jetë një armë në konfliktet tregtare.
Përpjekjet janë në vitin e tyre të fundit të implementimit dhe në fund të vitit 2020, në Kinë edhe kompanitë do të duhet të merren me një sistem të kredive sociale, i ngjashëm me atë të qytetarëve. Autoritetet e Pekinit do të mbledhin një fluks të vazhdueshëm të të dhënave mbi veprimtarinë e kompanive vendase dhe të huaja, të cilat do të ushqehen në një mekanizëm algoritmesh për të nxjerrë një vlerësim të përgjithshëm të sjelljes së tyre.
Kush do të ketë një rezultat pozitiv, do të jetë në gjendje të gëzojë taksa më të ulëta, linja krediti bujare si dhe korsi preferenciale në tenderët publik. Pjesa tjetër, përkundrazi, do të paguajnë taksa më të larta, do t’i nënshtrohen inspektimeve më të shpeshta dhe do të përfundojnë në një listë të zezë. Bashkimi Europian i Dhomave të Tregtisë në Kinë e quan atë “sistemin më të plotë të krijuar ndonjëherë nga një qeveri për të imponuar një treg të vetë-rregulluar”.
Pekini dëshiron të ndalojë shkeljet që kanë shpërthyer në fushën ekonomike që nga vitet 1990. “Mashtrim masiv, shkelje të licencave dhe të drejta e autorit, skandale të sigurisë së konsumatorit”, janë disa nga fenomenet që rendit edhe firma e njohur e konsulencës Trivium, e cila është e specializuar në analizat e ‘Dragoit’.
Në të njëjtën kohë, qeveria dëshiron të pajiset me mjete për të monitoruar punën e kompanive. Në frontin financiar, ‘Dragoi’ ka vuajtur gjithmonë nga mungesa e parametrave për të përcaktuar se kush është i besueshëm për një kredi. Trivium shpjegon se Banka Popullore e Kinës ka mbledhur të dhëna për vetëm 35% të qytetarëve në dhjetë vitet e fundit, kundrejt 80% të amerikanëve.
Rreziku, sidoqoftë, është që një sistem që me sa duket nuk ka asgjë më ndryshe nga një regjistër i paguesve të këqij dhe evazionesh fiskale, të shndërrohet në një sy të teknologjisë së lartë Sauron. Sistemi i ndëshkimeve dhe shpërblimeve nuk është transparent, siç është pesha e parametrave në përcaktimin e raportit përfundimtar. Dhe për ekspertët e Unionit, “nuk ka garanci që vlerësimet mos të zbatohen në një mënyrë të shtrembëruar, duke goditur kompani specifike me inspektime më të mëdha”, në fakt duke i dhënë ish-perandorisë ‘Qiellore’ një armë të fuqishme në rastin e luftërave tregtare.
Kredia sociale e armatos Pekinin me një armë të ngarkuar. Studiuesit e Trivium pranojnë se sistemi është “një mjet shumë i fuqishëm përforcimi jashtëligjor në duart e shtetit kinez” dhe se do të sigurojë “një rrjet të gjerë të të dhënave të sistematizuara”. Në perspektivë, qeveria do të jetë në gjendje ta përdorë atë si një mjet parashikimi të rrezikut.
Mungesa e transparencës, sipas Unionit të Dhomave të Tregtisë, nuk i shpëton dyshimit që algoritmet mund të shtrembërohen: kredia do të sigurojë “një levë në konfliktet tregtare dhe për veprime të synuara kundër ndërmarrjeve të veçanta”. Aq shumë, sa që konfederata bën thirrje që Bashkimi Europian të ngrejë zërin, duke marrë parasysh që Kina tashmë po përdor kredi në negociata me vendet që i përmbahen projektit të ri të rrugës së mëndafshit, si Republika Çeke. (Wired)
/ SCAN