Takimi i Donald Trump Xi Jinping në Pekin, sjell përparim në bisedimet tregtare mes Kinës dhe SHBA-së
Kina ka njoftuar përparim në bisedimet tregtare me Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas takimit mes presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit kinez Xi Jinping në Pekin.
Sipas Ministrisë kineze të Tregtisë, të dyja palët arritën marrëveshje paraprake për tarifat, çështjet bujqësore dhe industrinë e avionëve, ndërsa negociatat për detajet vazhdojnë ende.
Pekini bëri të ditur gjithashtu se Kina dhe SHBA-ja kanë rënë dakord të krijojnë këshilla për tregtinë dhe investimet.
Këshilli i Tregtisë do të përdoret për të diskutuar uljen e tarifave për produkte të caktuara, me një mirëkuptim të përgjithshëm për reduktimin e disa tarifave në mënyrë të krahasueshme.
Autoritetet kineze përmendën edhe progres në tregtinë bujqësore, por nuk dhanë detaje konkrete për normat tarifore apo produktet e përfshira.
Deklarata e Ministrisë së Tregtisë përfshinte gjithashtu marrëveshje për blerjen nga Kina të avionëve amerikanë, si dhe furnizimin me motorë dhe komponentë avionësh.
Presidenti Trump kishte deklaruar më parë se Kina kishte rënë dakord të blinte 200 avionë të kompanisë “Boeing” , por Ministria e Jashtme kineze nuk e konfirmoi këtë shifër.
Në përgjithësi, versioni kinez për rezultatet e samitit ishte më i kujdesshëm krahasuar me deklaratat amerikane.
Ndërsa presidenti Trump dhe përfaqësuesit amerikanë folën për blerje të mëdha kineze pas takimit, Pekini nuk dha hollësi për vlerën, afatet apo përmasat e marrëveshjeve.
ATSH
KOHA JONË SONDAZH

