Takimi në Vatikan/ Papa diskuton me Rubion, në qendër edhe kritikat ndaj Trump
Papa Leo ka pritur në Vatikan Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, në një takim zyrtar që vjen në një moment tensionesh diplomatike mes Uashingtonit dhe Selisë së Shenjtë. Vizita e Rubios zhvillohet pas kritikave të përsëritura të Presidentit Donald Trump ndaj Papës, lidhur me qëndrimet e tij për konfliktin në Iran, si dhe për politikat e administratës amerikane ndaj imigracionit. Këto deklarata kanë krijuar reagime dhe shqetësime në disa qarqe ndërkombëtare dhe fetare.
Sipas pamjeve të publikuara nga Vatikani, Papa Leo e priti diplomatin amerikan me një përshëndetje formale, duke e quajtur “Z. Sekretar”, ndërsa Rubio iu përgjigj me fjalët: “Është kënaqësi t’ju shoh”. Të dy zhvilluan më pas një takim të ulur në tavolinën zyrtare në Pallatin Apostolik. Papa Leo, i cili është i pari amerikan në këtë post, ka shprehur më herët kritika ndaj operacioneve ushtarake SHBA-Izrael kundër Iranit, si dhe ndaj politikave të ashpra të emigracionit të administratës Trump, gjë që ka sjellë edhe reagime të forta nga ish-presidenti amerikan.
Burime nga Vatikani, të cituara nga “La Repubblica”, bëjnë të ditur se takimi zgjati rreth 45 minuta dhe u fokusua në disa prej krizave kryesore globale, përfshirë situatën në Lindjen e Mesme, Iranin, Libanin dhe disa rajone të Afrikës. Po ashtu u diskutua edhe gjendja në Kubë dhe nevoja për mbështetje ndaj popullsisë së saj në një periudhë të vështirë. Ambasada e SHBA-së në Selinë e Shenjtë njoftoi në platformën X se bisedimet përfshinë “tema me interes të përbashkët në Hemisferën Perëndimore”.
Ndërkohë, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tommy Pigott, e cilësoi takimin si dëshmi të një marrëdhënieje të fortë mes SHBA-së dhe Vatikanit. Selia e Shenjtë nuk dha një deklaratë të menjëhershme pas bisedimeve. Rubio qëndroi rreth dy orë e gjysmë në Vatikan, ku zhvilloi gjithashtu takime me zyrtarë të lartë, përfshirë kardinalin Pietro Parolin, përpara se të largohej nën masa të rrepta sigurie.
KOHA JONË SONDAZH

