Të rinjtë dhe sesi Covid-19 ka ndikuar tek punësimi i tyre
Pandemia e Covid-19 ka një ndikim “shkatërrues dhe disproporcional” në punësimin e të rinjve në të gjithë botën. Organizata Botërore e Punës, bën me dije se një në gjashtë të rinj kanë qenë të detyruar të ndalojnë punën e tyre që nga nisja e shpërthimit të virusit.
Pandemia jo vetëm që po shkatërron punësimin por edhe arsimimin, aftësimin dhe po vendos pengesa kryesore në rrugën e atyre që kërkojnë të hyjnë në tregun e punës ose të ndryshojnë vend pune.
Që para fillimi të krizës, rreth një e pesta e të rinjve në të gjithë botën nuk ishin tashmë në punë, nuk ndiqnin një arsim apo trajnim ndërsa më shumë se tre të katërtat punonin në të zezë. Për më tepër, më shumë se katër në 10 të rinj ishin të punësuar në akomodim, shërbime ushqimore, tregti me shumicë dhe pakicë, sektorët që janë prekur më shumë nga kriza.
Vajzat të cilat përbëjnë më shumë se gjysmën e fuqisë punëtore në këto sektorë dhe mbi 40% të të punësuarve në aktivitete të shërbimeve të tjera, janë goditur “më shumë dhe më shpejt se çdo grup tjetër”. Efekti është edhe më i mprehtë për gratë me fëmijë.