Tensionet pas su*mit në Katar, Rubio takon Netanyahun në Jeruzalem mes kritikave ndërkombëtare
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, zhvilloi një takim të profilit të lartë me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në Jeruzalem, ku në fokus ishte kriza diplomatike e shkaktuar nga sulmi izraelit në Katar – një vend mik i ngushtë i SHBA-së.
Incidenti ndodhi javën e kaluar në Doha dhe kishte si objektiv disa figura të larta të Hamasit. Ky veprim ka ngjallur reagime të ashpra në arenën ndërkombëtare dhe është pritur me shqetësim edhe nga administrata e presidentit Donald Trump. “Presidenti nuk e mirëpriti këtë ngjarje. As ne. Tani është koha për të parë përpara dhe për të gjetur zgjidhje,” u shpreh Rubio para takimit me Netanyahun.
Takimi mes Rubio dhe Netanyahut ndodh në një moment të ndjeshëm diplomatik, teksa udhëheqësit e botës arabe janë mbledhur në një samit solidarizues me Katarin. Gjatë këtij samiti, kryeministri i Katarit kërkoi një qëndrim më të fortë nga komuniteti ndërkombëtar ndaj shkeljeve të sovranitetit nga ana e Izraelit dhe dënoi qasjen me standarde të dyfishta.
Katarit, i cili strehohet një nga bazat më të rëndësishme ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme, i është besuar një rol qendror në ndërmjetësimin e bisedimeve për paqe mes Izraelit dhe Hamasit, duke e bërë sulmin në territorin e tij edhe më të ndjeshëm politikisht.
Gjatë një vizite simbolike në Murin e Lotëve së bashku me ambasadorin amerikan Mike Huckabee, Netanyahu e përshkroi aleancën mes Izraelit dhe SHBA-së si “po aq të fortë sa gurët e këtij muri të lashtë”. Megjithatë, as ai dhe as Rubio nuk pranuan të japin komente për shtypin në lidhje me sulmin në Katar.
Diskutimet mes dy liderëve përfshinë edhe planin izraelit për të marrë kontroll të plotë mbi qytetin e Gazës, si dhe strategjinë për zgjerimin e vendbanimeve hebraike në Bregun Perëndimor – një tjetër temë që ka shkaktuar përplasje të vazhdueshme ndërkombëtare.
Ndërkohë, bombardimet në Gaza kanë vijuar gjatë fundjavës, me raportime për shkatërrime të mëdha në zonat civile të qytetit. Forcat izraelite kanë paralajmëruar për një ofensivë tokësore në perëndim të qytetit dhe u kanë kërkuar civilëve të evakuohen drejt jugut – megjithëse shumë prej tyre deklarojnë se nuk kanë ku të shkojnë, për shkak të mungesës së mjeteve dhe bombave ne zonat jugore.
KOHA JONË SONDAZH

