Tërmetet shkatërruese në Venezuelë, mbi 50 mijë persona të zhdukur
Venezuela vijon të përballet me pasojat dramatike të dy tërmeteve të fuqishme me magnitudë 7.2 dhe 7.5 ballë që goditën vendin të mërkurën pasdite, duke shkaktuar një nga katastrofat natyrore më të rënda në historinë moderne të vendit.
Sipas Ministrit të Shëndetësisë, Carlos Alvarado, të paktën 235 persona kanë humbur jetën, ndërsa mbi 4,300 të tjerë janë plagosur.
“Fatkeqësisht, 235 persona mbërritën pa shenja jete ose ndërruan jetë pas mbërritjes në institucionet tona shëndetësore”, deklaroi Alvarado për mediat shtetërore. Autoritetet druhen se bilanci i viktimave mund të rritet ndjeshëm në orët dhe ditët në vijim, pasi më shumë se 50 mijë persona rezultojnë ende të zhdukur.
Mëngjesi i së enjtes i gjeti qytetarët venezuelianë përballë pamjeve tronditëse. Ndërtesa të shembura, rrugë të çara, automjete të bllokuara dhe lagje të tëra të shkatërruara kanë krijuar një panoramë të ngjashme me zonat e luftës.
Në shumë zona, mobiliet dhe sendet personale shiheshin të varura nga katet e sipërme të ndërtesave të dëmtuara, ndërsa helikopterët e emergjencës fluturonin pandërprerë mbi qytetet më të prekura.
Familjarët e personave të zhdukur po përdorin platforma online për të publikuar fotografi dhe informacione mbi të afërmit e tyre, ndërsa të tjerë shpërndajnë lista të shkruara me dorë në përpjekje për të gjetur të mbijetuar. Situata është rënduar edhe më shumë nga ndërprerjet e gjera të komunikimeve telefonike, të cilat po vështirësojnë kontaktet mes familjeve brenda dhe jashtë vendit.
Ekipet e emergjencës dhe forcat e shpëtimit po punojnë pa ndërprerje në zonat e prekura, duke kërkuar për të mbijetuar nën rrënoja. Kushtet e vështira të terrenit dhe dëmet masive në infrastrukturë po pengojnë operacionet, ndërsa ekziston frika se mijëra persona mund të jenë ende të bllokuar.
Dy lëkundjet sizmike konsiderohen ndër më të fuqishmet e regjistruara në Venezuelë në më shumë se një shekull. Tërmetet u ndjenë edhe përtej kufijve të vendit, duke shkaktuar evakuime të ndërtesave në disa zona të rajonit të Amazonës në Brazil.
KOHA JONË SONDAZH

