Themeluesi i Bloomberg në kërkim të “mikro-influencerave”- Sa do të kushtojë një postim për fushatën presidenciale?
Ish kryetari i Bashkisë Njujorkeze dhe themeluesi i prestigjiozes Bloomberg, Mike Bloomberg, mesa duket e ka kuptuar vlerën dhe popullaritetin e rrjeteve sociale. Sipas The Wall Street Journal, 77 vjeçari po e dyfishon buxhetin e tij për marketingun e fushatës presidenciale për vitin 2020, i cili do të shpërndahet në television, radio, Facebook dhe në Google.
Stafi i fushatës ka menduar një strategji të re: “shfrytëzimin” e mikro-influencerave, të cilët do të angazhohen duke postuar në llogaritë e tyre të mediave sociale. Këta individë që do të jenë “fatlumët”, do të shkruajnë artikuj të përshtatur për fushatën, do të kontrollohen dhe përzgjidhen më pas nga stafi i fushatës, se cilët do të postohen dhe kur, në llogarinë e gjithsecilit.
Konkretisht, krijuesit e artikujve me pagesë duhet të kenë 1.000 deri në 100.000 ndjekës në rrjetet sociale dhe të jetë shtetas amerikanë. Ata kanë për detyrë t’i shpjegojnë audiencave se përse Mike është kandidati i duhur që mund ta ndryshojë Amerikën në të mirë, apo përse mendojnë se Mike është kandidati që duhet të fitojë. Sipas The Daily Beast, një artikull, do të paguhet 150 dollarë.
/BusinessInsider – SCAN