Thirrja e Zelenskyt ndaj NATO-s: Na duhen sisteme të reja të mbrojtjes ajrore
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka kërkuar mbështetje të menjëhershme nga aleatët e NATO-s për forcimin e mbrojtjes ajrore të vendit, duke theksuar nevojën për sisteme moderne që mund të mbrojnë qytetet ukrainase nga sulmet e reja ruse. Gjatë samitit të NATO-s në Turqi, Zelensky deklaroi se Ukraina ka kapacitete për të përballuar shumë prej sfidave ushtarake, por për mbrojtjen kundër raketave dhe sulmeve ajrore mbetet e varur nga ndihma e partnerëve ndërkombëtarë.
Kërkesa e tij vjen pas një serie sulmesh ruse me raketa dhe dronë, të cilat kanë prekur zona të banuara dhe kanë shkaktuar viktima civile. Sipas autoriteteve ukrainase, raketat balistike ruse përbëjnë një kërcënim të madh, pasi sistemet ekzistuese të mbrojtjes ajrore nuk arrijnë t’i neutralizojnë të gjitha.
Zelensky u ka bërë thirrje vendeve evropiane që të sigurojnë më shumë sisteme mbrojtjeje dhe raketa interceptuese, duke nënvizuar se këto pajisje duhet të përdoren për mbrojtjen e jetëve të njerëzve dhe jo të mbeten të papërdorura në depo.
Ndërkohë, Ukraina ka vijuar operacionet me dronë me rreze të gjatë brenda territorit rus, duke goditur objektiva si rafineri nafte dhe infrastruktura ushtarake. Kievi thotë se këto sulme kanë për qëllim të rrisin presionin ndaj Moskës dhe ta afrojë atë drejt negociatave për një marrëveshje paqeje.
KOHA JONË SONDAZH

