Thirrja nga BE: Të lejohet pjesëmarrja e serbëve të Kosovës në referendumin e Serbisë
Shefi i politikës së Jashtme së BE-së, Josep Borrell, bën thirrje që qytetarëve serbë të Kosovës t’u mundësohet pjesëmarrja në referendumin e 16 janarit, kjo për ndryshimet kushtetuese në Serbi.
Ai thotë se ka biseduar një ditë më parë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, lidhur me grumbullimin e votave në Kosovë për referendumin kushtetues që mbahet të dielën në Serbi. ”Grumbullimi i votave në të kaluarën është bërë me lehtësimin e Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë. Qytetarët duhet të jenë në gjendje ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votimit”.
Kryeministri Kurti, tha se serbët e Kosovës mund të marrin pjesë në referendum. ”Serbët në Kosovë të cilët kanë shtetësi të dyfishtë mund të votojnë në referendumin e Serbisë nëpërmjet postës apo në zyrën ndërlidhëse në Prishtinë. Një referendum në territorin sovran të një shteti tjetër nuk është praktikë e pranuar në asnjë vend demokratik”.
Të dielën me 16 janar, Serbia mban një referendum në të cilin qytetarët e saj do të të deklarohen në pyetjen “a jeni për konfirmimin e aktit për ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Serbisë?”.