Tito kishte origjinë shqiptare?!

Gjillas, që ishte një nga figurat kryesore të lëvizjes partizane gjatë Luftës së Dytë Botërore, më vonë do të jetë një nga disidentët kryesor të ish-Jugosllavisë dhe Bllokut Lindor komunist.

“Mbiemri Broz vjen nga Ambroz, që si emër daton që nga shekulli XV. Por, nuk ka të dhëna se familja e Titos vjen nga brezi i parë i Brozëve. Sipas të dhënave të familjes së Titos, Brozët paraardhës të tyre kishin emigruar nga rajoni kufitar mes Bosnjës dhe Dalmancisë, për në Zagorje, ku u vendosën mbase në shekullin XVI. Para kësaj, sipas Titos, ata ishin shpërngulur nga fisi i Kuçit në Mal të Zi”, thuhet në faqen 39 të këtij libri, transmeton Telegrafi.

Nga vetë emërtimi, fisi Kuç kuptohet se ishte fis shqiptar. Ata deri vonë folën gjuhën shqipe dhe ushtronin fenë e tyre katolike, por ndërkohë u detyruan me forcë dhe dhunë të tmerrshme nga serbo-malazezët të ndryshojnë gjuhën e fenë.

Sipas Gjon Vuksanit, fisi i Kuçit përmendet që nga viti 1335. Ndërsa, nga ky fis dalin shumë fise malazeze. Për këtë Padër Marian Prelaj shkruante: “Hoti, Piperi, Kuçi e Vasoviqi janë nji gjakut shqyptar. Koça e Kuçit, Luhari, Vashoviqi, Meduni, Orova, Besjova, Berskuta, Opsanica, janë katunde të Kuçit. Ndër këto, Koça e Kuçit dhe Luhari janë besimtarë katolikë e flasin të gjithë shqyp, nësa në katunde, mosha 50 vjeçare e ditëve tona e dijnë gjuhën shqype, porse e majnë veten sllav. Ndër këto fshate nji pjesë ene e ruejnë emnat katolikë e shqyptar – Gjokë, Mixho, Pero, Frani, Antoni, Pjetër, Gjoka, Kuç, Ded Gjin Kola” (sic.).

Kuçi kishte dërguar përfaqësuesit e vet në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Ndërsa, shumë malazezë që identifikohen sot me këtë fis, nuk mohojnë prejardhjen e tyre shqiptare. Ndërkaq, emri Ambroz dhe Broz janë shumë të njohur në viset veriore të Shqipërisë, sidomos në Mirditë dhe në Shalë.

Se a ka pasë prejardhje shqiptare Tito, kjo ka pak rëndësi, përderisa ai e mbante veten jugosllav, e përderisa biografia e tij thotë se babën e kishte kroat e nënën sllovene. Dikush mund të mendojë ndryshe, por gjatë sundimit të tij shumë të zeza ju bënë shqiptarëve – gjatë e pas Luftës së Dytë Botërore, e sidomos kur në pushtet ishte bashkëpunëtori i tij kryesor pas Eduard Kardelit, Aleksandar Rankoviq. Në kohën e sundimit të Titos vriten dhe persekutohen shqiptarët, e edhe shpërngulen masovikisht në Turqi. Prandaj, se a kanë familja mbretërore Karagjorgjeviq e Tito prejardhje shqiptare, kjo ka pak rëndësi, apo jo? (INA)

SHKARKO APP