Tmerr në Itali, 47-vjeçari spërkat të dashurën me naftë dhe tenton t’i vërë flakën
Një 47-vjeçar me origjinë nga Moldavia është arrestuar në Ivrea, në zonën e Torinos në Itali, nën dyshimin për tentativë vrasjeje, pasi akuzohet se ka tentuar t’i vërë flakën bashkëjetueses së tij gjatë një konflikti të ndodhur në banesë.
Sipas autoriteteve italiane, ngjarja ka ndodhur në lagjen San Bernardo, ku mes çiftit ka shpërthyer një debat i ashpër. Gjatë konfliktit, i dyshuari, i cili raportohet se ndodhej nën efektin e alkoolit dhe në gjendje të rënduar psikofizike, ka spërkatur gruan me lëndë djegëse, konkretisht naftë, me qëllimin për t’i vënë flakën.
Ngjarja nuk ka përfunduar tragjikisht falë ndërhyrjes së menjëhershme të një personi të tretë, mik i çiftit, i cili ndodhej në banesë në momentin e incidentit. Ai ka ndërhyrë duke u vendosur mes tyre dhe ka arritur të pengojë autorin të ndezë çakmakun, duke shmangur kështu një situatë potencialisht fatale deri në mbërritjen e forcave të rendit.
Ndërkohë, vetë viktima ka arritur të njoftojë policinë, e cila ka reaguar menjëherë dhe është paraqitur në vendngjarje. Karabinierët kanë neutralizuar 47-vjeçarin, duke i sekuestruar edhe çakmakun që dyshohet se do të përdorej për kryerjen e aktit.
Fatmirësisht, si pasojë e ngjarjes nuk ka persona të lënduar, ndërsa situata është vënë nën kontroll pa pasoja fizike për të përfshirët. Me urdhër të Prokurorisë së Ivreas, e cila po udhëheq hetimet, i arrestuari është dërguar në paraburgim, ku do të qëndrojë në dispozicion të drejtësisë italiane ndërsa vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave.
KOHA JONË SONDAZH

