Tragjedi në Itali, 54-vjeçari humb jetën pasi shpëtoi fëmijët e mitur në det
Një ngjarje e rëndë është regjistruar në plazhet e Otrantos, ku një 54-vjeçar ka humbur jetën pasi më parë arriti të shpëtonte dy fëmijët e tij binjakë 8-vjeçarë nga rrymat e forta detare. Sipas raportimeve, incidenti ndodhi të shtunën në mëngjes, rreth orës 11:30, në një ditë kur kushtet detare ishin të vështira për shkak të erërave të forta, megjithëse në ujë ndodheshin disa pushues.
Mes tyre ishin edhe dy fëmijët, të cilët u përfshinë shpejt nga rrymat dhe u larguan rrezikshëm nga bregu. Situata alarmoi menjëherë të pranishmit, të cilët nisën të bërtisnin për ndihmë. Në atë moment, babai i tyre u hodh pa hezitim në det për t’u ardhur në ndihmë. Ai arriti të mbërrijë te binjakët dhe, me përpjekje të mëdha, i ndihmoi ata të ktheheshin të sigurt në breg.
Megjithatë, pas daljes nga uji, gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua papritur. 54-vjeçari, i identifikuar si Gennaro Cagnazzo nga zona e Leçes, u ndje keq dhe u rrëzua në plazh, përpara syve të pushuesve të tjerë. Menjëherë u ndërhy për t’i dhënë ndihmën e parë.
Pavarësisht përpjekjeve të pushuesve dhe më pas të ekipeve të emergjencës që mbërritën në vendngjarje, reanimimi nuk pati sukses dhe ai u shpall i pajetë. Autoritetet lokale dyshojnë se ai mund të ketë pësuar një problem të papritur shëndetësor, i nxitur nga lodhja dhe sforcimi i madh fizik gjatë përpjekjes për të shpëtuar fëmijët e tij. Ngjarja ka shkaktuar tronditje të madhe në zonë dhe është cilësuar si një akt heroik me fund tragjik.
KOHA JONË SONDAZH

