Tre a*më për të qël*uar ish-presidentin Trump?

Donald Trump kërkon unitet mes amerikanëve pas atentatit ndaj tij. Ai falenderon mbështetësit e tij për mesazhet e panumërta për shërim të shpejtë pas plagosjes së lehtë nga plumbi që i preku majën e veshit të djathtë.

Tre armë janë përdorur për të qëlluar ish-presidentin amerikan Donald Trump gjatë tubimit të tij në Butler, Pensilvani. Kjo është ajo që del nga analiza shkencore. FBI deklaroi se vrasësi ka vepruar i vetëm. Tre të shtënat e para ishin në përputhje me armën e supozuar A, pesë të tjerat ishin në përputhje me armën e pretenduar B dhe “pulsi akustik” i fundit u lëshua nga një armë e mundshme C. Sipas ekspertit Robert Maher, analizat e audios konfirmuan se personi i armatosur ishte 120-150 metra larg podiumit kur u dëgjuan të shtënat.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, u bëri thirrje amerikanëve që të refuzojnë dhunën politike dhe të riangazhohen për zgjidhje paqësore të mosmarrëveshjeve. Biden foli nga Zyra Ovale një ditë pas atentatit kundër ish-presidentit republikan, Donald Trump. Ka qenë në fakt një lëvizje e Trump në sekondat e fundit që e ka shpëtuar atë në atentatin që mund të merrte përmasa tepër tragjike. Pas qetësimit të situatës, debati tani po zhvillohet lidhur me protokollin e sigurisë dhe agjentët e përfshirë për garantimin e perimetrit.

Mbështetësit e Trump të pranishëm në eventin për fushatën elektorale në Butler të Pensilvanisë, sapo panë autorin me armë në një ndërtesë aty pranë njoftuan efektivët e policisë. Në një deklaratë, FBI e identifikoi agresorin si 20-vjeçarin Thomas Matthew Crooks, i cili u qëllua dhe u vra nga Shërbimi Sekret. FBI shprehu gjithashtu habinë se si autori ishte në gjendje të hapte zjarr. Sulmuesi, i armatosur me një pushkë gjysmë automatike, iu shmang kontrolleve. Në heshtje, ai u vendos në majë të një ndërtese. Askush nuk e ndaloi të vendosej dhe qëndronte vetëm 150 metra larg skenës së mitingut. Referuar mediave vendase, Crooks identifikohet si një republikan, teksa mbeten ende mister shkaqet e këtij atentati të mbetur në tentativë.

Në automjetin e autorit që u gjet pak metra larg vendit të ngjarjes, ishte zbuluar edhe një sasi eksplozivi që dyshohej se mund të përdorej në këtë ngjarje. Sipas tyre, snajperi i përdorur nga atentatori ishte me leje dhe ishte regjistruar në emër të të atit.

SHKARKO APP