Trump, Biden japin mesazhe me rastin e Vitit të Ri
Presidenti ende në detyrë i SHBA-së, Donald Trump reflektoi rreth arritjeve tij, duke i quajtur ato “fitore historike”, ndërsa pasardhësi i tij, Presidenti i zgjedhur Joe Biden, dha një ton optimist për vitin 2021. Pas disa javë përpjekjesh për të fituar betejën për një mandat të dytë në Shtëpinë e Bardhë, republikani Trump tha në një video të postuar në Twitter “Njerëzit duhet të na kujtojnë për atë që është bërë”.
Duke folur nga shteti Delauer, Presidenti i zgjedhur Biden shprehu nderim për punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe inkurajoi njerëzit që të vaksinohen. Ai i bëri komentet gjatë një paraqitjeje të shkurtër me gruan e tij, Jill Biden, në një program special të televizionit ABC. “Unë kam absolutisht besim të plotë se ne do të rikthehemi dhe do të rikthehemi edhe më të fortë se më parë”, thotë Biden, i cili do të bëjë betimin më 20 janar.
Ai përsëriti thirrjen që vaksinat të shpërndahen më shpejt. Presidenti Trump, i cili u prek vetë nga koronavirusi në tetor, shpesh e minimizoi rrezikun e pandemisë. Shumë ekspertë të shëndetësisë e kanë kritikuar përgjigjen e tij ndaj pandemisë si të paorganizuar, duke thënë se në disa raste ai nuk përfilli shkencën që shpjegon transmetimin e virusit.
Në komentet e tij ai vuri në dukje se Shtetet e Bashkuara kanë prodhuar një vaksinë për Covid-19 në kohë rekord dhe se ai e parashikoi saktë se vaksina do të dilte para mbarimit të vitit. Shtetet e Bashkuara janë bërë një nga vendet më të goditura nga COVID-19, me më shumë se 340,000 vdekje, që i atribuohen zyrtarisht koronavirusit.