Trump: Emigrantët që gjuajnë me gur do qëllohen
Presidenti Donald Trump ka paralajmëruar emigrantët që duan të kalojnë kufirin me Meksikën se do të qëllohen për vdekje nëse hedhin gurë ndaj ushtarëve amerikanë.
Komentet e tij, kreu i Shtëpisë së Bardhë, i bëri gjatë prezantimit të politikave të tij për t’i bërë ballë emigrimit të paligjshëm në vend.
Trump tha se karvani prej mijëra emigrantësh të Amerikës Qendrore ishte treguar i dhunshëm ndaj autoriteteve meksikane, por kjo nuk do të përsëritej edhe në SHBA.
Donald Trump: “Nëse e gjuajnë me gur ushtrinë tonë, ne do të kundërveprojmë. I kam thënë trupave ushtarake që ta konsiderojnë gurin si një pushkë. Po të hedhin gurë siç bënë ndaj ushtarëve dhe policëve meksikanë, ta dinë se ne do i konsiderojmë si armë.”
Presidenti amerikan tha se Shtetet e Bashkuara tani e tutje nuk do u japin më azil njerëzve që nuk kanë kaluar fillimisht nga një postë kufitare e shtetit, ndërsa ata që kapen në kufi do të mbahen në kampe deri sa të ekstradohen ose kur kërkesat e tyre të jenë shqyrtuar.
Kreu i zyrës ovale tha se ai nuk është kundër emigrantëve, por dëshiron që migrimi të jetë i kontrolluar.
Propozimet e presidentit priten të paraqiten në formën e një urdhri ekzekutiv javën që vjen.
KOHA JONË SONDAZH

