Trump i shpëton mrekullisht burgut dhe gjobës

Presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, është dënuar për çështjen e pagesave të Stormy Daniels, por nuk do të shkojë në burg. Këtë deklaroi gjyqtari Juan Merchan gjatë leximit të dënimit, sipas të cilit Donald Trump, është dënuar me “lirim të pakushtëzuar”.

As gjobë nuk do të vendoset për presidentin e zgjedhur. Megjithatë, dënimi njollos rekordin penal të presidentit të zgjedhur. Sikurse ishte shprehur edhe më herët, edhe në seancën e sotme Donald Trump këmbënguli para gjykatësve se ai është i pafajshëm. “Fakti është se unë jam plotësisht i pafajshëm. Nuk kam bërë asgjë të keqe”, deklaroi ai. Trump kishte mohuar edhe më herët akuzat, duke akuzuar për persekutim politik ndaj tij aleatët e presidentit demokrat Joe Biden për t’i dëmtuar fushatën.

Presidenti i zgjedhur i kërkoi Gjykatës së Lartë të SHBA-së të ndalonte dënimin e tij në këtë rast, një kërkesë shumë e pazakontë që mbështetet pjesërisht në vendimin e gjykatës vitin e kaluar për t’i dhënë atij imunitet të gjerë nga ndjekja penale. Një ditë më parë gjykata e lartë hodhi poshtë kërkesën urgjente të Trump për të shtyrë dënimin.

Seanca e sotme e dënimit, vjen ndërsa Trump përgatitet për mandatin e tij të dytë në detyrën e presidentit të SHBA-së. Në maj, Trump u bë presidenti i parë i SHBA-së i dënuar ndonjëherë për një krim kur një juri e shpalli atë fajtor për falsifikimin e të dhënave të biznesit për të mbuluar një skandal seksual të mundshëm përpara fitores së tij të parë presidenciale në 2016.

SHKARKO APP