Trump-Iranit: Pa marrëveshje, do të përballeni me pasoja të rënda
Presidenti amerikan Donald Trump ka rikthyer paralajmërimet ndaj Iranit, duke deklaruar se Teherani duhet të arrijë një marrëveshje për t’i dhënë fund tensioneve, përndryshe do të përballet me pasoja të rënda. Në një intervistë për median franceze BFMTV, Trump u shpreh se nuk është i sigurt nëse një marrëveshje mund të arrihet në një afat të shkurtër, por theksoi se situata mund të përkeqësohet nëse negociatat nuk ecin përpara.
Sipas tij, Irani ka interes të arrijë një dakordësi me Shtetet e Bashkuara, ndërsa paralajmëroi se refuzimi i një marrëveshjeje do ta vendoste vendin përballë një periudhe shumë të vështirë. Deklaratat e Trump vijnë në një kohë tensionesh të larta në Lindjen e Mesme dhe mes raportimeve për skenarë të mundshëm ushtarakë që po diskutohen nga SHBA-ja dhe Izraeli.
Pak ditë më parë, Trump publikoi në rrjetin e tij social Truth Social një imazh të krijuar me inteligjencë artificiale, ku shfaqej i rrethuar nga anije ushtarake dhe i shoqëruar me mesazhin “Qetësia para stuhisë”, postim që u interpretua si një sinjal paralajmërues në lidhje me zhvillimet në rajon.
Nga ana tjetër, autoritetet iraniane kanë reaguar duke pranuar se marrëdhëniet me Uashingtonin mbeten të tensionuara. Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, deklaroi se mes dy vendeve ekziston një klimë mosbesimi dhe se aktualisht negociatat nuk janë aktive. Ai shtoi se çështja e programit bërthamor dhe materialit të pasuruar vazhdon të mbetet pika kryesore e mosmarrëveshjeve.
Megjithatë, diplomati iranian la të hapur mundësinë e rifillimit të bisedimeve, nëse palët tregojnë seriozitet dhe gatishmëri për të arritur një marrëveshje që konsiderohet e drejtë dhe e balancuar për të dyja vendet.
KOHA JONË SONDAZH

