Trump kërcënon Kanadanë: Duan përfitimet e një shteti pa qenë shtet!
Presidenti amerikan Donald Trump ka ashpërsuar retorikën ndaj Kanadasë pas dështimit të negociatave tregtare mes dy vendeve, duke deklaruar se Otava kërkon “përfitimet e të qenit një shtet, pa qenë një shtet”.
Deklarata e Trump vjen pasi bisedimet tregtare SHBA-Kanada u ndërprenë të premten në mbrëmje, duke i hapur rrugë vendosjes së tarifave të reja amerikane prej 50% për një sërë produktesh kanadeze.
Në reagimin e tij të parë pas prishjes së negociatave, Trump akuzoi gjithashtu Kanadanë se për vite me radhë u ka vendosur fermerëve amerikanë “shuma masive tarifash”.
Kryeministri kanadez Mark Carney e ka cilësuar vendimin e Trump një “llogaritje të gabuar”, duke argumentuar se tarifat e reja synojnë të “na dëmtojnë dhe të na përçajnë”.
Carney ka konfirmuar se Kanadaja do t’u përgjigjet masave amerikane duke vendosur tarifa në të njëjtën masë, “dollar për dollar”, duke filluar nga 8 shtatori. Masat kundërpërgjigjëse do të përfshijnë produkte si çeliku, produktet e qumështit, pajisjet elektroshtëpiake dhe pajisjet elektronike.
Sipas Carney, marrëdhëniet tregtare mes dy vendeve tashmë kanë hyrë në një “luftë tregtare”.
“Kur sulmohesh, je në luftë. Ne u sulmuam”, deklaroi kryeministri kanadez, duke shtuar se SHBA-ja “kërkoi shumë dhe ofroi shumë pak”.
Deklaratat e fundit të Trump vijnë në një klimë të tensionuar mes Uashingtonit dhe Otavës. Presidenti amerikan ka përsëritur vazhdimisht që prej rikthimit në Shtëpinë e Bardhë idenë që Kanadaja të bëhet “shteti i 51-të” i SHBA-së, deklarata që kanë shkaktuar reagime të forta në Kanada.
Dështimi i negociatave ka tronditur një marrëdhënie tregtare jashtëzakonisht të integruar mes dy vendeve, ndërsa aktualisht nuk ka një rrugë të qartë drejt zgjidhjes së konfliktit.
“Ne nuk mund të pranojmë atë që ata kanë ofruar dhe nuk do t’u japim atë që kanë kërkuar”, tha Carney.
Tarifat e reja amerikane prej 50% do të zbatohen ndaj një sërë mallrash kanadeze, përveç tarifave ekzistuese amerikane mbi çelikun, aluminin, automjetet dhe lëndën drusore.
Masat e reja janë të kufizuara në shtrirje dhe prekin rreth 20 miliardë dollarë importe kanadeze, ose afërsisht 5% të totalit. Lista përfshin produkte si vera, produktet e qumështit, çimentoja, veshjet dhe pajisjet e hokejit.
Carney tha se Kanadaja po ndërmerr kundërmasat “me ngurrim”, me qëllim mbrojtjen e interesave të saj ekonomike. Detajet e plota të masave hakmarrëse pritet të bëhen publike në ditët në vijim.
Tarifat doganore kanë qenë një prej instrumenteve kryesore të politikës tregtare të Trump. Presidenti amerikan argumenton se ato ndihmojnë në forcimin e prodhimit vendas dhe krijimin e vendeve të punës në SHBA.
Kritikët, megjithatë, paralajmërojnë se tarifat mund të rrisin çmimet për konsumatorët amerikanë, ndërsa krijojnë pasiguri dhe dëmtojnë ekonominë globale.
Ndërkohë, në Kanada, liderë të partive të tjera federale, përfshirë opozitën konservatore, si dhe drejtues të disa provincave, kanë shprehur mbështetje për qëndrimin e kryeministrit Carney në përballjen e re tregtare me administratën Trump. /BBC
KOHA JONË SONDAZH

