Trump mirëpret familjet e viktimave të vrarë nga emigrantët ilegalë
Pas zemërimit masiv që shkaktoi politika e tij për ndarjen e familjeve të emigrantëve, presidenti amerikan Donald Trump ka mirëpritur të afërmit e viktimave të vrarë nga emigrantë të jashtëligjshëm në Shtetet e Bashkuara. “Këta janë qytetarët amerikanë të ndarë përjetësisht nga të dashurit e tyre. Por ata nuk kanë vdekur më kot. Ne premtojmë të veprojmë me forcë dhe vendosmëri.
“Nuk do të ndalemi derisa kufiri ynë të jetë i sigurtë, derisa qytetarët tanë të jenë të sigurtë dhe t’i japim fund krizës së emigracionit njëherë e përgjithnjë,” u shpreh Trump për grupin e të ashtuquajturve Familjet Engjëll, në Shtëpinë e Bardhë.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara u përball me kritika të ashpra në rang global për shkak të politikës amerikane të emigracionit, e cila ka ndarë më shumë se 2.000 fëmijë emigrantë nga familjet e tyre. Imazhe të fëmijëve të izoluar në burgje metali dhe sekuenca zanore të tyre duke qarë, nxitën protesta dhe dënim nga liderë botërore dhe organizata. Presioni i madh publik me të cilin u has kjo politikë, bëri që presidenti të tërhiqej nga zbatimi i saj më herët gjatë javës.
Trump nënshkroi të mërkurën një urdhër ekzekutiv për të penguar që fëmijët emigrantë të padokumentuar të mbahen të ndarë nga prindërit e tyre, pasi të kenë hyrë ilegalisht në vend. Megjithatë, politika “zero-tolerancë” e administratës për ndjekjen penale të çdo personi që kalon kufirin në mënyrë jo të ligjshme, mbetet në fuqi.
KOHA JONË SONDAZH

