Trump ndalon Ukrainën të përdorë raketat amerikane kundër Rusisë

Sipas një raporti të Wall Street Journal, Shtetet e Bashkuara kanë bllokuar që nga pranvera e vonë përdorimin nga Ukraina të raketave amerikane me rreze të gjatë veprimi për goditje brenda territorit rus. Ky vendim është pjesë e një përpjekjeje të administratës Trump për të nxitur presidentin rus Vladimir Putin të hyjë në bisedime paqeje.

Burime pranë Pentagonit kanë bërë të ditur se përdorimi i sistemit raketor Atacms është i ndaluar. Të paktën një herë, Ukraina ka kërkuar leje për t’i përdorur ndaj një objektivi, por kërkesa është refuzuar në bazë të një “mekanizmi rishikimi” të hartuar nga Elbridge Colby, nënsekretar i Pentagonit për politikën. Ky mekanizëm përcakton mënyrën e përdorimit të armëve amerikane me rreze të gjatë ose të dhëna nga aleatët evropianë, që varen nga inteligjenca dhe teknologjia amerikane.

I njëjti proces zbatohet edhe për raketat britanike Storm Shadow, pasi ato përdorin të dhëna të shënjestrimit nga SHBA, kanë konfirmuar zyrtarë amerikanë dhe britanikë. Vendimin final për përdorimin e raketave Atacms, me rreze veprimi rreth 305 km, e merr sekretari amerikan i mbrojtjes, Pete Hegseth.

Swiss Digital Desktop Reklama

Administrata Biden kishte lejuar më herët përdorimin e këtyre raketave kundër objektivave rusë në nëntor, pas përfshirjes së trupave koreano-veriore në luftë. Megjithatë, para inaugurimit, Trump e kritikoi hapur këtë vendim, duke e cilësuar si një gabim që vetëm “përshkallëzon luftën”.

Swiss Digital Mobile Reklama

“Unë nuk jam aspak dakord me dërgimin e raketave qindra milje brenda Rusisë. Pse po e bëjmë këtë? Vetëm po e përkeqësojmë situatën,” deklaroi Trump për Time Magazine.

Ende nuk është e qartë nëse ky mekanizëm i ri përbën një ndryshim të plotë të politikës amerikane, por ai vjen në një kohë kur SHBA po ushtron kontroll gjithnjë e më të madh mbi furnizimin e armëve për Ukrainën, për shkak edhe të shterimit të rezervave të veta.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, theksoi se qëndrimi i Trump mbetet i pandryshuar: “Ai ka qenë shumë i qartë se lufta në Ukrainë duhet të përfundojë.”

Megjithatë, në një deklaratë të fundit, Trump pranoi se pa mundësinë e sulmeve, Ukraina e ka të pamundur të fitojë. “Është si një skuadër sportive me mbrojtje të shkëlqyer, por që nuk lejohet të sulmojë. Nuk ka shanse për të fituar,” shkroi ai.

Muajin e kaluar, SHBA ra dakord të furnizojë Ukrainën me sisteme të reja armatimi vetëm nëse kostot mbulohen nga vendet evropiane. Paralelisht, administrata miratoi shitjen e 3,350 raketave ajrore Erams me rreze 400 km, ndërsa Trump ka theksuar se SHBA “nuk synon” t’i japë Kievit armë me rreze të gjatë që mund të godasin drejtpërdrejt Moskën.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?