Trump organizon samitin për paqe mes Republikës Demokratike të Kongos dhe Ruandës

Udhëheqësit e Republikës Demokratike të Kongos dhe Ruandës pritet të nënshkruajnë një marrëveshje paqeje që synon t’i japë fund konfliktit të gjatë në rajon, gjatë një samiti të organizuar nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, në Uashington.

Përpara samitit, ka pasur një përshkallëzim të luftimeve në lindje të Kongos, një zonë e pasur me burime, mes forcave qeveritare dhe rebelëve të M23, të cilët besohet se mbështeten nga Ruanda. Ushtria e Kongos akuzoi rivalët për përpjekje për të “sabotuar” procesin e paqes, ndërsa rebelët thanë se ushtria kishte nisur një ofensivë duke shkelur armëpushimin.

Në fillim të vitit, M23 mori nën kontroll pjesë të mëdha të Kongos lindore, duke shkaktuar mijëra të vrarë dhe duke detyruar shumë të tjerë të largoheshin. Presidenti i Kongos, Felix Tshisekedi, dhe homologu i tij ruandez, Paul Kagame, kanë shkëmbyer shpesh akuza të rënda, duke fajësuuar njëri-tjetrin për konfliktin.

Swiss Digital Desktop Reklama

Marrëveshja që do të nënshkruhet nga dy presidentët është një miratim i një pakti paqeje të arritur më parë nga ministrat e jashtëm në qershor, të cilin Trump e cilësoi si një “triumf të lavdishëm”. Në ceremoni pritet të marrin pjesë edhe liderë nga Burundi dhe Katari. Lëvizja M23 nuk do të jetë e pranishme, pasi është në bisedime paralele me qeverinë e Kongos, të udhëhequra nga Katari.

Swiss Digital Mobile Reklama

Administrata Trump ka udhëhequr bisedimet, duke shpresuar se zgjidhja e konfliktit do t’i hapë rrugën investimeve amerikane në rajonin e pasur me burime. Departamenti i Shtetit vlerësoi në vitin 2023 se Kongoja kishte rezerva minerale me vlerë rreth 25 trilionë dollarë, përfshirë kobalt, bakër dhe litium. Vetë Trump deklaroi se “për Shtetet e Bashkuara, ne po marrim shumë të drejta minerale nga Kongoja si pjesë e saj”.

Ruanda mohon mbështetjen për M23, pavarësisht se ekspertët e OKB-së thonë se ushtria e saj ka “kontroll de facto mbi operacionet e M23”. Nga ana tjetër, Ruanda thotë se ka marrë “masa mbrojtëse” për shkak të kërcënimit nga grupi militant FDLR, i cili përfshin luftëtarë që kryen gjenocidin e vitit 1994. Kagame kërkon çarmatosjen e këtij grupi, ndërsa Kongoja kërkon tërheqjen e trupave ruandeze. Marrëveshja parashikon që të dyja këto kërkesa të përmbushen.

Megjithatë, analistët janë skeptikë nëse marrëveshja do të sjellë paqe të qëndrueshme. Disa marrëveshje të mëparshme kanë dështuar pasi Ruanda akuzoi Kongon se nuk e çarmatosi FDLR-në. Bram Verelst, një studiues në Institutin për Studime të Sigurisë, i tha BBC-së se “aktualisht nuk ka asnjë armëpushim në fuqi dhe rebelimi i M23 vazhdon të zgjerohet dhe të konsolidojë kontrollin e tij”.

Profesori Jason Stearns, një politolog, shpjegoi se SHBA-ja ka shtyrë për një marrëveshje ekonomike për bashkëpunim në energji, miniera dhe infrastrukturë. “Logjika është se kjo do të sigurojë dividentin e paqes,” tha ai. Megjithatë, ai shtoi se Kongoja e ka bërë të qartë se nuk do të “përparojë me atë marrëveshje derisa trupat ruandeze të jenë tërhequr nga lindja e Kongos”.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi drejt Gjykata Kushtetuese për rastin Balluku?