Trump paralajmëron Hamasin: Nëse nuk respekton paqen, fundi do të jetë i hidhur
Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar Hamasin se nëse nuk respekton marrëveshjen e paqes, do të përballet me pasoja të ashpra. Në një postim në platformën “Truth”, Trump tha se aleatë të SHBA-së në Lindjen e Mesme janë të gatshëm të ndërhyjnë në Gaza, por ai i ka ndaluar për momentin, përfshirë edhe Izraelin.
“Nëse nuk e bëjnë, fundi i Hamasit do të jetë i shpejtë, i tërbuar dhe brutal,” shkroi Trump.
Ai theksoi se ekziston ende shpresë që Hamasi të veprojë drejt dhe të respektojë paqen, duke shtuar se ka ndaluar ndërhyrjen e aleatëve për shkak të kësaj mundësie.
Trump përshkroi një atmosferë pozitive në rajon, duke e cilësuar si një moment historik:
“Dashuria dhe fryma për Lindjen e Mesme nuk janë parë kurrë në një mijë vjet. Është një gjë e mrekullueshme për t’u parë!”
Ai tha se u ka kërkuar vendeve aleate dhe Izraelit të presin, duke besuar se Hamasi mund të zgjedhë rrugën e paqes.
Në fund të postimit, presidenti amerikan falënderoi të gjitha vendet që kanë shprehur gatishmërinë për të ofruar ndihmë në rajon, duke e cilësuar këtë si një akt solidariteti dhe përgjegjësie.
KOHA JONË SONDAZH

