Trump presion zyrtarit të Xhorxhias për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve: Na duhet që të gjejmë vota!
Presidenti amerikan, Donald Trump, po akuzohet se abuzoi me pushtetin pasi ushtroi presion institucional për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve të 3 nëntorit.
Një telefonatë e regjistruar mes presidentit dhe zyrtarit më të lartë për çështjet zgjedhore në shtetin e Xhorxhës u publikua të dielën nga gazeta “Washington Post”.
Në bisedën njëorëshe, kreu i shtetit përsëriti se nuk pajtohej me humbjen e garës ndaj rivalit demokrat, Joe Biden , dhe kërkonte vota për të përmbysur rezultatin në shtetin juglindor.
“Na duhet që të gjejmë 11,780 vota, që janë një më shumë sesa ato që kemi. Nuk ka asgjë të keqe që të thuash se bëmë një rivlerësim dhe e pranojmë gabimin me rezultatin paraprak,” iu drejtua presidenti zyrtarit republikan, Bred Rafwnsperger.
Presidenti i zgjedhur, Biden, aktualisht ka marrë shumicën e votave elektorale, 306 kundrejt 232 votave që mban presidenti Trump.
Por edhe në telefonatën e incizuar në nëntor, shefi i zyrës ovale shprehet se demokratët i fituan zgjedhjet duke manipuluar në mënyrë sistematike.
“Kemi rreth 5 mijë njerëz të vdekur që votuan dhe në total rreth 300 mijë fletëvotime false. Po mësojmë sot se disa prej tyre edhe i kanë shkatërruar, me sa thuhet rreth 130 kg nga 1.300 kg fletëvotime të paketuara, ndërsa pjesët elektronike të makinerive që numërojnë votat po i zëvendësojnë me të tjera, dhe ky është korrupsion i madh,” theksoi Trump.
Më shumë se 60 padi të ngjashme janë refuzuar nga gjykatat e vendit në gjithë Amerikën.
Rezultatin përfundimtar pritet ta certifikojë të mërkurën edhe Kongresi, megjithëse disa senatorë republikanë kanë thënë se kërkojnë një hetim të shifrave zyrtare përpara se të japin votën.