Turqia zbulon raketën e re balistike ndërkontinentale që pretendon se është e aftë të godasë SHBA
Turqia ka prezantuar me bujë një raketë të re balistike ndërkontinentale (ICBM), të quajtur Yıldırımhan, e cila sipas pretendimeve zyrtare mund të godasë objektiva deri në 6,000 kilometra larg, duke mbajtur një kokë luftarake prej 3,000 kilogramësh dhe duke arritur shpejtësi deri në 25 herë më të madhe se shpejtësia e zërit. Nëse këto specifika do të ishin reale, Turqia do të hynte në klubin shumë të kufizuar të shteteve që zotërojnë armë të këtij niveli strategjik.
Megjithatë, prezantimi ka shkaktuar debat dhe skepticizëm, sidomos pasi videoja promovuese e krijuar me inteligjencë artificiale tregonte raketën duke goditur objektiva që dukeshin si impiante bërthamore në territorin amerikan — diçka që ka ngritur shumë pikëpyetje, pasi SHBA ndodhet shumë përtej rrezes zyrtare të deklaruar të raketës.
Ironikisht, kjo ka krijuar edhe tension diplomatik, pasi SHBA është aleate e Turqisë në NATO.
Më pas doli se realiteti është më modest nga sa u paraqit fillimisht. Vetë zyrtarët turq pranuan se Yıldırımhan ende nuk ka një prototip funksional të testuar plotësisht, dhe se deri tani janë kryer vetëm teste laboratorike. Ministria turke e Mbrojtjes deklaroi se sistemi është ende në fazën e zhvillimit dhe testimet në terren vazhdojnë.
Ministri i Mbrojtjes i Turqisë, Yaşar Güler, gjatë ceremonisë së prezantimit tha se kjo armë do të përdoret vetëm si mjet parandalues, por paralajmëroi se nëse lind nevoja, Turqia nuk do të hezitojë ta përdorë.
Ekspertët ndërkombëtarë të mbrojtjes kanë reaguar me skepticizëm të fortë. Një zyrtar perëndimor i mbrojtjes tha se pretendimet janë të ekzagjeruara dhe se megjithëse industria ushtarake turke është zhvilluar shumë shpejt, ende nuk ka arritur në këtë nivel teknologjik. Edhe analisti i raketave Fabian Hoffman nga Universiteti i Oslos e cilësoi projektin “shumë ambicioz dhe të dyshimtë”.
Aktualisht, raketa me rrezen më të gjatë që Turqia ka testuar është Tayfun, e prodhuar nga kompania shtetërore Roketsan, e cila ka arritur rreth 600 kilometra në testime — vetëm një e dhjeta e distancës që pretendohet për Yıldırımhan.
Megjithatë, industria turke e mbrojtjes po rritet fuqishëm. Turqia tashmë renditet si eksportuesi i 11-të më i madh i armëve në botë, duke prodhuar dronë, automjete të blinduara, anije luftarake dhe municione. Vende si Britania dhe Gjermania e konsiderojnë industrinë ushtarake turke si të rëndësishme për forcimin e mbrojtjes europiane.
Kompania Baykar, e lidhur me familjen e presidentit Erdoğan përmes Selçuk Bayraktar, është ndër liderët globalë në dronët ushtarakë me inteligjencë artificiale, ndërsa kompani të tjera turke po zgjerojnë bashkëpunimet me Europën.
Analistët vlerësojnë se Turqia po investon seriozisht në raketa balistike dhe cruise për qëllime strategjike, por theksojnë se pretendimet për Yıldırımhan janë aktualisht më shumë një deklaratë politike dhe propagandistike sesa një kapacitet real ushtarak i provuar.
KOHA JONË SONDAZH

