U dënua me burg, akademiku arratiset nga Irani përmes maleve për të shkuar në Britani
Një akademik britaniko-iranian, i cili është dënuar me nëntë vjet burg në Iran i ka thënë BBC se si u arratis në këmbë nëpër male për të filluar një jetë të re në Mbretërinë e Bashkuar.
Kameel Ahmady u dënua dy muaj më parë për bashkëpunim me një qeveri armiqësore. Megjithatë, ai e mohon akuzën.
Ahmady vendosi të arratiset, ndërsa ishte me kusht dhe po apelonte kundër dënimit, përcjell abcnews.al.
Ai eci përgjatë një kufiri malor për t’i shpëtuar Gardave Revolucionare, një udhëtim që e përshkruan si “shumë të gjatë, shumë të errët dhe shumë të frikshëm”.
Ahmady lindi në Iranin perëndimor. Por prindërit e tij e dërguan në Britani kur ishte 18 vjeç për shkollim.
Ai qëndroi atje për shumë vite, duke studiuar në Universitetin e Kentit dhe Shkollën Ekonomike të Londrës. E tillë ishte dashuria e tij për Britaninë, saqë bëri kërkesë për shtetësi britanike para se të kthehej në Iran si antropolog.
Hulumtimi i tij përqendrohet në martesën e fëmijëve dhe gjymtimin gjenital të femrave (FGM) në Iran. Kjo e solli atë në vëmendjen e autoriteteve sepse bëri fushatë për të rritur moshën në të cilën vajzat mund të martohen, e cila aktualisht është vendosur në 13 vjeç.
Një mëngjes në gusht të vitit 2019, një burrë erdhi te dera e tij në Teheran dhe i tha se ishte postier. Ai tregon se hapi hapi derën dhe aty pa 16 ushtarë të Garda Revolucionare, të cilët iu sulën. Ai u arrestua dhe u dërgua në burgun famëkeq Evin.
Ahmady thotë se ishte vënë në shënjestër jo vetëm sepse ishte me dy shtetësi, por edhe sepse Irani donte të hakmerrej pasi Britania kapi një cisternë iraniane të naftës pranë Gjibraltarit që dyshohej se kishte thyer sanksionet e BE.
Ai kaloi tre muaj në burgun e Evin, ku, tha ai, hetuesit e sorollatnin. Pas tre muajsh u la i lirë përpara gjyqit por u monitorua nga afër.
Dhjetorin e kaluar, Ahmady u dënua për bashkëpunim me një qeveri armiqësore, diçka që ai e mohon. Ai gjithashtu u përball me akuza të ndryshme të tjera, përfshirë promovimin e homoseksualitetit në kërkimet e tij.