U ndoq për vite me radhë, droni dhe të pathënat e operacionit që vranë ”Zotin e Luftës”
Njeriu i dytë më i fuqishëm në Iran pas Ajatollah Khamenei, Qaseem Soleimani u vra dy ditë më parë nga një dron i SHBA-ve në Bagdat sapo kishte zbritur nga avioni. Urdhri për ekzekutimin e tij u dha nga Presidenti Donald Trump, me arsyetimin se kreu i Forcave Speciale të Gardës Revolucionare të Iranit po përgatiste sulme të tjera kundër interesave të SHBA-ve në rajon. Vrasja ka rritur tensionet mjaft dhe ka rikthyer frikën e një lufte në shkallë të gjerë në rajon.
Si u vra Soleimani?
Vendndodhja e tij ka qenë prioritet i shërbimeve sekrete izraelite dhe amerikane. Ai ka qenë shpesh nën shënjestrën e amerikaneve për ta vrarë, por vendimi u mor vetëm sëfundmi. Soleimani u ndoq gjatë udhëtimit të tij me avion për në Bagdat, ku urdhri ishte dhënë për ta vrarë. Pasi u ul, dy makina u afruan për ta marrë atë duke mos ditur se një dron amerikane “MQ 9 Reaper” po e vëzhgonte nga sipër. Pasi u siguruan se targeti ndodhej në makinë, komandantët e operacionit dhanë urdhrin dhe nga droni u lëshuan fillimisht dy raketa “hell fire” duke goditur makinën ku ndodhej Soleimani. Më pas, një raketë tjetër goditi makinën pas tij duke vrarë edhe një lider të milicëve lokal. I gjithë operacioni u koordinua nga baza amerikane në Katar, nga ku u ngrit edhe droni për të vrarë Soleimanin.
“MQ9 Reaper”
Droni “Reaper” i quajtur ndryshe edhe si “vrasësi” është fjala e fundit e teknologjisë amerikane të ajrit. Ata janë në gjendje të ndjekin për orë të tëra në heshtje objektivat dhe të transmetojnë nga mijëra kilometra larg pamjet e operacionit tek shefat e tyre. Makina e soleimanit u godit nga disa dhjetra kilometra larg nga sy raketa “hell fire”, të cilat qëlluan në shenjë. Ky dron kushton rreth 16 milion dollarë dhe i gjithë programi për prodhimin e tij i ka kushtuar ushtrisë amerikane 12 miliard dollarë. SHBA-të kanë në përdorim më shumë se 160 donë të tillë që mund të kryejnë operacione në të gjithë botën.
Kush është Qasim Suleimani?
Qasim Suleimani është një burrë 61-vjeçar, babai i pesë fëmijëve. Ai filloi të punonte në ndërtim që në moshën 13 vjeçare për të ndihmuar familjen e tij në Iranin jugor. Revolucioni islamik i vitit 1979 në Iran e gjeti atë 22 vjeç. Me zellin e moshës dhe bindjet e tij, ai iu bashkua Gardës Revolucionare që u ngrit për të mbrojtur revolucionin e ajatollahëve. Ai mori drejtimin e Gardës Revolucionare në fund të luftës Iran-Irak në vitin 1988 para se të bëhej drejtuesi i Forcave Speciale të saj, pikërisht ato “Kuds”. I përkushtuar tërësisht për mbrojtjen e Republikës Islamike, ai është cilësuar si një “martir i gjallë” në vitin 2005 nga Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei.
Suleimaini është akuzuar nga SHBA-të në vitin 2008 se ishte personi përgjegjës për trajnimin dhe armatosjen e militantëve shiit në Lindjen e Mesme kundër forcave amerikane në Irak. “Ai mbështet lëvizjen palestineze Hamas si edhe ka armatosur lëvizjet shiite në gadishullin arabik. Soleimani ka lidhje edhe në Turqi dhe e gjitha kjo ka tërbuar monarkitë arabe në Gjirin Persik. Qaseeim Suleimani imponon vullnetin e Iranit në të gjithë Lindjen e Mesme”, shkruante “The World” në vitin 2017 për të.
“E njeh Sirinë si xhepin e tij dhe ka një njohuri shumë të mirë për Irakun”, tha një burim diplomatik për AFP disa vjet më parë. Për më tepër, “ai është jashtëzakonisht i respektuar nga njerëzit e tij falë karrierës dhe karizmës së tij”, vijon AFP. Në vitin 2011, një zyrtar i lartë amerikan i intervistuar nga “Guardian” e krahasoi atë me “Keyser Söze”, heroi i “The Usual Suspects”. /AbcNews/