U prezantuan si vullnetare, shqiptarët i vjedhin 6000 euro një çifti të moshuarish në Itali
Dy shqiptarë janë vënë në prangat e policisë italiane, pasi u prezantuan si vullnetarë dhe u ofruan të hiqnin baltën nga shtëpia e dy të moshuarve në zonën e Ravenës.
Mediat vendase shkruajnë se pas largimit të tyre çifti i të moshuarve zbuloi se ato u kishin vjedh 6000 euro.
Ngjarja ka ndodhur në zonën e Ravenës, në Fornaces, ku një burrë dhe një grua me origjinë shqiptare janë paraqitur pranë një çifti të moshuarish, shtëpia e të cilëve ishte e rrethuar nga balta që në fillim të emergjencës.
Dy të huajt ishin ofruar të ndihmonin çiftin e pensionistëve, duke shfrytëzuar shpresën e tyre, duke u paraqitur si të rinj vetëmohues të gatshëm për t’u shërbyer të tjerëve. Pasi kishin pastruar katin përdhes dhe kopshtin, të dy i kishin thënë lamtumirë çiftit të prekur nga akti i tyre dhe ishin larguar.
Kur dy “shpëtuesit” janë zhdukur, të moshuarit kanë bërë një zbulim të hidhur dhe dëshpërues. Në shtëpinë e tyre, për ditë të tëra të rrethuar nga balta, mungonin rreth 6 mijë euro, kursime të çiftit të moshuar.
Menjëherë kanë denoncuar dhe ka ndërhyrë policia, e cila brenda pak orësh arrestoi dy vullnetarët e rremë. Fatmirësisht, 6000 eurot u gjetën dhe iu kthyen pronarëve të ligjshëm, ndërsa dy të huajt u vendosën në dispozicion të Autoritetit Gjyqësor të Ravenës. Një histori që përfundoi mirë. Megjithatë, një histori e keqe, e cila nuk do duhej të ndodhte.