Ukraina kërkon drejtësi për 176 viktimat, Irani në protestë, kërkohet dorëheqja e liderit suprem
Deklaratat e qeverisë iraniane për sulmin me raketa ndaj avionit, të konsideruara të paqëllimshme, kanë shkaktuar reagimin e presidentit të Ukrainës dhe kryeministrit të Kanadasë të cilët kërkojnë drejtësi.
Volodymyr Zelensky ka kërkuar nxjerrjen para ligjit të përgjegjësve për sulmin si dhe qeverisë që të paguajë dëmshpërblim ndaj familjarëve të viktimave.
Zhvillimet e fundit në Iran kanë shkaktuar protesta masive në vend ku shumë persona kërkojnë dhe dorëheqjen e liderit suprem Khamenei.
Çfarë ndodhi?
Një avion u rrëzua menjëherë pas nisjes nga një aeroport në Iran ditën e mërkurë (8 janar) duke shkaktuar vdekjen e 176 pasagjerëve.
Mediet amerikane publikuan disa ditë më vonë se avioni u godit nga raketa iraniane.
Gjenerali i aviacionit në Iran mori përsipër përgjegjësinë duke deklaruar se ishte një gabim njerëzor.
Në një konferencë, ai shprehu se kishte urdhëruar për ndërprerjen e fluturimeve nga kompanitë, një urdhër që nuk u zbatua.
Ndër të tjera ai shprehet se operatori që lëshoi raketën, pasi pa avionin në fluturim, nuk mundi të konfirmonte nëse ishte i ShBA-së apo jo, ndaj u detyrua të sulmonte.