
Më shumë se 200 metra të Urës së Krimesë janë shkatërruar dhe kanë përfunduar në ujë, në një thellësi prej nëntë metrash, pas një sulmi me raketa dhe dronë të kryer në disa valë më 16 dhe 17 nëntor. Rrënojat prej asfalti dhe çeliku kanë bllokuar kanalin e lundrimit të Ngushticës së Kërçit.
Ky zhvillim i jep një goditje përpjekjeve të Rusisë për ta mbajtur Krimenë nën okupim dhe funksionale, shkruan Radio Evropa e Lirë. Ky është sulmi më shkatërrimtar ndaj urës që nga nisja e luftës në shkallë të plotë, e cila në shkurt hyn në vitin e pestë, sipas burimeve të njëjta.
Gjatë sulmit të fundit u shkatërrua vetëm pjesa rrugore e urës, ndërsa qarkullimi hekurudhor ka rifilluar, megjithëse nuk dihet se në çfarë mase. Sipas komandës ushtarake të Ukrainës, sulmi shënoi fundin e mitit që Moska kishte ndërtuar rreth urës si simbol i një Krimeje “përgjithmonë ruse”.
“Tani, një pjesë e strukturës gjendet nën ujë”, thuhet në deklaratën e komandës, e cila thekson se kjo strukturë prej 19 kilometrash mbi ujërat e Detit të Zi, me vlerë 4 miliardë dollarë, forconte kontrollin e Moskës mbi gadishullin e okupuar në vitin 2014. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u zotua se ura do të rindërtohet “edhe më mirë se më parë”.
E përfunduar në vitin 2018, ura me konstruksion metalik, e njohur edhe si Ura e Kërçit, përfshin linjë hekurudhore dhe rrugore. Ajo ishte e vetmja rrugë tokësore që mundësonte lëvizjen e njerëzve dhe furnizimeve nga territori i Rusisë në Krime, deri në pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Vetë presidenti rus, Vladimir Putin, u ul në timonin e një kamioni dhe kaloi mbi urë në maj të vitit 2018, për ta përuruar atë. Më herët, vetëm tragetet qarkullonin në këtë ngushticë detare, por kapaciteti i tyre ishte i kufizuar dhe lundrimi varej nga kushtet atmosferike. Më 18 nëntor, i gjithë trafiku i trageteve u pezullua për shkak të motit të keq, thanë autoritetet. ## Ekspertët: dëmet mund të kenë cenuar integritetin strukturor “Mendoj se dëmet janë mjaft të mëdha”, tha Brian Clark, ish-oficer i marinës amerikane dhe ekspert i operacioneve detare në Institutin Hudson me seli në Uashington.
Sipas tij, dëmet e shkaktuara duket se mund ta kenë cenuar integritetin strukturor të urës dhe është krejt e mundur që kalimi nëpër të të mos jetë më i sigurt. Sam Rigby, profesor i inxhinierisë në Universitetin e Sheffieldit në Angli, vuri në dukje se ky sulm ndryshon nga sulmet e mëparshme, pasi ka shënjestruar një segment shumë më të madh, me kompleksitet strukturor dukshëm më të lartë.
Inxhinieri ukrainas i aviacionit Konstantin Kryvolap shpjegoi për Current Time se ura mund të goditet vetëm duke shënjestruar pikat e saj të dobëta, elementet lidhëse që bashkojnë të dyja anët e urës: “Pikat ku janë të lidhura këto harqe janë pjesët më të dobëta të urës”. Sipas inxhinierëve të infrastrukturës që folën për Radion Evropa e Lirë, skenari më optimist për riparimin e pjesës rrugore është që punimet të zgjasin rreth një vit.
Kryvolap vlerësoi se puna nuk mund të kryhet për më pak se gjashtë muaj dhe ka shumë gjasa të zgjasë më shumë se një vit. David MacKenzie, drejtor i lartë teknik në kompaninë britanike të konsulencës inxhinierike COWI, tha për Radion Evropa e Lirë se segmenti i ri i urës do të duhet të montohet në bregun e Detit Azov, pastaj të transportohet mbi ujë deri në vendin e caktuar dhe të vendoset në pozicionin e tij.
Kjo, sipas tij, për shkak se ura rrugore ndodhet brenda urës hekurudhore, e cila pengon transportimin e një segmenti të tërë nga Deti i Zi. E gjithë vija bregdetare e Detit Azov ndodhet në një distancë prej më pak se 300 kilometrash nga territoret që janë nën kontrollin e Ukrainës.
Sipas MacKenzie, kjo do të thotë se çdo projekt për ndërtimin e harqeve të urës, që do të zgjaste me muaj, do të ishte një objektiv relativisht i lehtë për dronët dhe raketat ukrainase. Rrënojat e urës, të cilat aktualisht pengojnë trafikun detar në Ngushticën e Kërçit, mund të largohen brenda një ose dy javësh, me kusht që vinçat detarë dhe pajtimet për gërmim të mos pengohen nga moti i keq ose kërcënimet ukrainase, vlerësoi MacKenzie.
Megjithatë, Kremlini do të duhet të zgjedhë nëse fillimisht do të rikthejë qarkullimin detar apo atë rrugor, pasi, siç tha ai, nuk do të ishte e mundur të sigurohej qarkullim i përkohshëm rrugor mbi urë dhe në të njëjtën kohë të mbahej i hapur qarkullimi detar. Mike Petersen, ish-këshilltar i lartë i marinës amerikane dhe ekspert për ushtrinë ruse në Qendrën për Analiza Detare në Uashington, tha se është e vështirë të përcaktohet se sa kohë do të nevojitet për rihapjen e rrugës ujore.
“Ukraina mund ta pengojë çdo përpjekje për pastrimin e kanalit dhe kjo mund ta zgjasë mbylljen pothuajse pafundësisht”, tha ai për Radion Evropa e Lirë, duke kujtuar se autoriteteve amerikane iu deshën 76 ditë për të pastruar një kanal në vitin 2024, pas shembjes së urës Francis Scott Key në Baltimor.
Sipas Petersen, gjeografia, hidrografia dhe kushtet klimatike janë të gjitha pengesa për një operacion të shpejtë të largimit të rrënojave, pa përmendur faktin se vetë ky operacion ka të ngjarë të pengohet nga sulmet. ## Logjistika ushtarake dhe rruga alternative Sa i përket trafikut të përgjithshëm detar përmes Ngushticës së Kërçit, ndikimi do të jetë gjithsesi i kufizuar, pasi Rusia tashmë e ka ridrejtuar një pjesë të madhe të tij drejt Detit Baltik ose Oqeanit Paqësor, për shkak të intensifikimit të sulmeve ukrainase ndaj anijeve dhe porteve, tha Petersen.
Në këtë situatë, për një të ardhme afatgjatë dhe të paparashikueshme, vetëm trenat do të transportojnë njerëz dhe mallra drejt dhe nga gadishulli i Krimesë. Komandantët ushtarakë rusë tani do të detyrohen të mbështeten edhe në një rrugë tokësore, autostradën bregdetare M-14, e cila është e ekspozuar ndaj dronëve ukrainas, sipas David Gendelman, ekspert ushtarak izraelit.
Autostrada mund të përballojë vetëm një sasi të kufizuar trafiku, si civil ashtu edhe ushtarak, vuri në dukje ai. “Nëse trafiku zhvendoset atje, para së gjithash, kjo do të ngadalësojë dhe vështirësojë logjistikën ushtarake, përfshirë edhe atë pjesë të transportit që veçse po kalonte përmes korridoreve tokësore dhe jo përmes Urës së Krimesë.
Gjithsesi, nga këndvështrimi i logjistikës ushtarake, ky sulm ndaj Urës së Krimesë e vështirëson furnizimin e të gjithë grupimit ushtarak në jug”, tha Gendelman. Autostrada M-14 u bë një tjetër rrugë e rëndësishme furnizimi, drejtpërdrejt nga vetë Rusia, pas pushtimit të Mariupolit në pranverën e vitit 2022, ku gjendej porti më i madh ukrainas në Detin Azov, dhe konsolidimit të kontrollit rus mbi vijën bregdetare të Ukrainës.
Por që nga fillimi i këtij viti, forcat ukrainase kanë intensifikuar të ashtuquajturën fushatë të sulmeve me dronë me rreze të mesme, duke lëshuar dronë kundër kamionëve të mallrave që qarkullojnë në rrugën bregdetare, si dhe kundër një pjese të trafikut hekurudhor. Kjo e ka bërë Urën e Krimesë edhe më të domosdoshme për të siguruar furnizimin me ushqime dhe energji elektrike për dy milionë banorët e gadishullit, pa përmendur këtu edhe qindra mijëra pjesëtarë të personelit ushtarak, të cilët duhet të pajisen me armë dhe furnizime për sulmet ndaj Ukrainës.
Duke i shtuar edhe më shumë telashe rrugës tokësore, forcat ukrainase thuhet se më 17 nëntor dëmtuan një tjetër urë të rëndësishme, e cila siguron një lidhje të drejtpërdrejtë rrugore mes Krimesë dhe Rostov-on-Donit, përmes portit të Taganrogut, qytet që është një pikë e rëndësishme e grumbullimit të forcave ushtarake pranë kufirit ukrainas.
Sulmi i fundit nuk përbën herën e parë që Ukraina ka shënjestruar këtë strukturë gjatë luftës në shkallë të plotë të nisur nga Rusia. Një shpërthim me kamion bombë, i orkestruar nga inteligjenca ushtarake ukrainase në vitin 2022, dëmtoi pjesën rrugore të urës, e cila u riparua plotësisht për më pak se pesë muaj. Në vitin 2025, një dron nënujor ukrainas goditi mbështetëset e urës që gjendeshin në nivelin e ujit, por dëmet strukturore ishin të vogla.
