FIFA World Cup 2026 11 Qershor - 19 Korrik 2026
00 ditë
00 orë
00 minuta
00 sekonda

Vapa ekstreme përfshin Europën, kondicionerët kthehen në çështje politike, BE mban distancë

Kondicionerët po kthehen në një nga temat më të diskutuara politike në Bashkimin Europian. Vala e të nxehtit që ka thyer rekorde gjatë muajit qershor, ka shkaktuar të paktën 1.300 viktima dhe ka nxjerrë në pah mungesën e sistemeve të ftohjes në shumicën e banesave europiane, duke detyruar Komisionin Europian të sqarojë qëndrimin e tij. Brukseli thotë se nuk është detyra e tij t’u tregojë qytetarëve nëse duhet apo jo të instalojnë kondicionerë në shtëpitë e tyre dhe se nuk mban një qëndrim as pro, as kundër përdorimit të tyre. “Ne e dimë se shumica e banesave dhe apartamenteve në Bashkimin Europian nuk kanë kondicioner. Nuk është diçka që tradicionalisht ka qenë pjesë e ndërtesave, sidomos sepse një pjesë e madhe e stokut të banesave është e vjetër”, deklaroi zëdhënësja e Komisionit Europian për Klimën, Anna-Kaisa Itkonen.

Sipas saj, Komisioni nuk e trajton çështjen e kondicionerëve si një zgjedhje që duhet t’u imponohet qytetarëve, por si pjesë të politikave për rinovimin e ndërtesave, eficiencën energjetike dhe strategjinë e strehimit. E pyetur nëse Komisioni duhet të mbajë një pozicion më të qartë, duke qenë se kondicionerët po bëhen gjithnjë e më shumë objekt përplasjeje politike, Itkonen tha se prioriteti i institucionit mbetet tranzicioni drejt neutralitetit klimatik në mënyrë efikase dhe efektive.

Megjithatë, ajo la të kuptohet se qëndrimi mund të rishikohet nëse debati politik zgjerohet edhe më tej. “Kjo javë me temperatura ekstreme mund të ketë qenë vetëm një paralajmërim për pjesën tjetër të verës. Nuk përjashtohet që kjo të bëhet një temë diskutimi në nivel politik dhe më pas ne do të veprojmë sipas sinjaleve që do të vijnë nga shtetet anëtare”, tha ajo. Zëdhënësja shtoi se, për sa i përket kondicionerëve në banesat private, Komisioni nuk synon të “mikromenaxhojë” zgjedhjet e qytetarëve. Sipas të dhënave të Komisionit Europian, vetëm rreth 20% e familjeve në Bashkimin Europian kanë kondicioner, ndërsa në Shtetet e Bashkuara, Japoni dhe Korenë e Jugut kjo shifër është mbi 90%.

Swiss Digital Desktop Reklama

Pikërisht kjo mungesë e sistemeve të ftohjes është kthyer në një temë politike pas valës së fundit të të nxehtit, e cila detyroi shumë qytetarë të kërkonin zgjidhje të improvizuara për të përballuar temperaturat ekstreme. Debati nuk është i ri. Kundërshtarët e përdorimit masiv të kondicionerëve argumentojnë se ata rrisin konsumin e energjisë elektrike, rëndojnë rrjetin energjetik, çlirojnë ajër të nxehtë në atmosferë dhe nuk adresojnë shkaqet e ndryshimeve klimatike. Nga ana tjetër, mbështetësit thonë se ato janë bërë të domosdoshme për të garantuar kushte normale jetese dhe për të ruajtur produktivitetin gjatë periudhave me temperatura shumë të larta.

Swiss Digital Mobile Reklama

Në Francë, debati ka hyrë edhe në fushën politike. Partia e ekstremit të djathtë “Rassemblement National”, e cila kryeson sondazhet për zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm, ka propozuar një program të subvencionuar për instalimin masiv të kondicionerëve. Edhe drejtuesja e Partisë së Gjelbër, Marine Tondelier, ka pranuar se kondicionerët “po bëhen” një domosdoshmëri. Komisioni Europian, megjithatë, këmbëngul se fokusi nuk duhet të jetë vetëm te pajisjet e ftohjes, por edhe te mënyra se si prodhohet energjia që i furnizon ato. Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2025 rreth 47% e energjisë elektrike në Bashkimin Europian u prodhua nga burime të rinovueshme. Muajin e ardhshëm, Komisioni pritet të prezantojë Planin e Veprimit për Elektrifikimin, i cili do të përfshijë masa të reja për elektrifikimin e sistemeve të ngrohjes dhe ftohjes.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se po krijohet një Lëvizje antisistem, pra kundër Ramës dhe Berishës?